Greqi – BE dhe FMN 45 miliardë euro për krizën

Vendimi u morr pas videokonferencës që mbajtën dje ministrat e Financave të Eurozonës, të cilët vendosën të vinin në dispozicion 30 miliardë euro, për vitin e parë, nëse Athina do të kërkojë ndihmë, deklaroi gjatë një konference për shtyp komisioneri i BE-së për punët Ekonomike dhe Monetare, Olli Rehn. Këtyre 30 miliardëve do t’i shtohet edhe ndihma e FMN-së, e cila pritët të marrë vendimin në orët në vazhdim, por sipas informacioneve FMN mund të vërë në dispozicion rreth 12 ose 15 miliardë dollarë. Rehn shpjegoi se taksa e interesit për ndihmat e Eurogrupit do të jetë rreth 5%. Ai theksoi se interesi nuk ka formën e grantit dhe se është pak më i lartë se ai që aplikohet nga FMN. Por Ministri i Financave grek Jorgo Papakonstantinu theksoi se Athina nuk ka kërkuar ende të aktivizohet mekanizmi i mbështetjes ekonomike evropiane. Ministri përshëndeti dhe e cilësoi si “shumë të rëndësishëm” vendimin e ministrave të Financave të zonës euro, lidhur me paketën e ndihmave dhe kushtet e saj.