“Shtylla” e mbrojtjes në kombëtaren shqiptare, Mërgim Mavraj me shumë mundësi do të mungojë në ndeshjen mjaft të rëndësishme të kuqezinjve ndaj Italisë më 24 mars, si dhe ndaj Bosnjës 4 ditë më pas.
Klubi gjerman i Hamburgut ku Mavraj bën pjesë njoftoi nëpërmjet “Twitter”-it se mbrojtësi shqiptar do të qëndrojë të paktën 4 javë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi.
Mavraj luajti 90 minuta në ndeshjen e fundit të Hamburgut në Kupën e Gjermanisë ndaj Borussia Monchengladbach, por pavarësisht këtij fakti, mbrojtësi pjesën më të madhe të takimit e ka zhvilluar i dëmtuar. Në minutën e 52, ai pati një përplasje me Patrick Herrman, ku edhe u dëmtua. Në komunikatën e Hamburgut bëhet fjalë për një dëmtim të tendinës në gjurin e majtë.
Humbja e Mavrajt mund të vlerësohet si mjaft e rëndë për De Biasi-n duke qenë se në këtë takim, tekniku italian nuk ka në dispozicion as Berat Gjimshitin pasi është i pezulluar. Gjithashtu edhe Arlind Ajeti nuk është se po kalon një formë të mirë, duke qenë se është aktivizuar shumë pak këtë sezon me Torinon në Serie A.
Tashmë mbetet për t’u parë se si trajneri do ta ndërtojë mbrojtjen në një sfidë mjaft delikate si ajo e Palermos ndaj të kaltërve më 24 mars.