Ka nisur që në ora 9 gjyqi për 23 protestuesit e ndaluar për tubimin në Rrugën e Kombit dhe atyre do të jepet masa e sigurisë.

Gjyqi u vendos të zhvillohej në Tiranë për shkak se në Gjykatën e Kukësit nuk ka salla të mëdha. Bie në sy që ambjentet rreth e qark janë “blinduar” nga forca të shumta policore dhe nuk lejohet as qarkullimi i automjeteve. Në seancë nuk lejohet që të jenë të pranishëm gazetarë apo dhe familjarët e të arrestuarve. Madje dhe deputetët e opozitës tentuan që të futen brenda, por nuk janë lejuar nga punonjësit e sigurisë.

Advertisement

Edmond Spaho u shpreh për mediat se policia ka dhunuar deputetët dhe nuk i ka lejuar të futen në sallën e gjyqit. Ai është shfaqur edhe i gjakosur në faqe.

“Do të përplasen me qytetarët, do të përplasen me ne. Forcat e policisë ushtruan dhunë. Me dhunë Edi Rama nuk do ta ketë të gjatë”, tha Sapho për mediat.

Pas tensionit të krijuar në hyrje të gjykatës, i cili zgjati rreth 1 orë, mes policisë dhe disa deputetëve të PD, këta të fundit janë lejuar të futen në sallën e gjyqit, ku pritet të jepet masa e sigurisë për 23 të arrestuarit e Rrugës së Kombit.

Ndërkohë, policia nuk ka lejuar asnjë përfaqësues të medias të jetë i pranishëm.

Më herët, Edmond Spaho ka telefonuar fillimisht drejtorin e policisë dhe më pas edhe ministrin e Brendshëm Xhafaj. Spaho i ka kërkuar drejtorit të policisë se nga kush ka marrë urdhër të mos i lejojë deputetët e PD të futen në gjykatë, ndërsa më pas ka telefonuar edhe ministrin e Brendshëm. Mësohet se Spaho i ka kërkuar Fatmir Xhafajt të largoje policinë, gjë që ndodhi pak më vonë.