Një gjykatë federale në Nju Jork ka lëshuar një urdhër të jashtëzakonshëm me të cilin përkohësisht ndalon SHBA-në që të dëbojë qytetarët nga vendet të cilat presidenti amerikan, Donald Trump ka ndaluar hyrjen e tyre në vend.

Gjykatësja Ann Donnelly lëshoi një urdhër të shtunën në mbrëmje, pasi avokatët e Unionit Amerikan për Liritë Civile kishin ngritur padi në emër të qytetarëve nga shtatë vende myslimane, që u bllokuan në aeroportet në mbarë vendin, pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon hyrjen e tyre në SHBA.

Advertisement

Ky vendim, i cili vlen në të gjithë vendin, u mirëprit nga një numër i madh i protestuesve që ishin mbledhur para sallës së gjyqit në Bruklin.

Urdhri ndalon policinë kufitare amerikane që të kthejë këdo që ka mbërritur në SHBA nga Iraku, Siria, Irani, Sudani, Libia, Somalia dhe Jemeni.

Vendimi do të jetë në fuqi deri në seancën e radhës, të planifikuar për 21 shkurt, dhe vlen për njerëzit me viza të vlefshme si dhe për të gjithë ata të cilëve u është miratuar kërkesa e refugjatit.

Më 27 janar, një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump pezullonte programin amerikan për refugjatët për 120 ditë.

Trump urdhëroi sekretarin e Shtetit të rishikonte programin amerikan të refugjatëve gjatë pezullimit  prej 120 ditësh për t’u siguruar që personat e miratuar si refugjatë nuk përbëjnë një kërcënim për sigurinë dhe mirëqenien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Urdhri gjithashtu ndalonte në mënyrë specifike shtetasit sirianë të hyjnë në SHBA qoftë si emigrantë apo joemigrantë, sepse duke i lejuar ata do të ishte e dëmshme për interesat e Shteteve të Bashkuaratë Amerikës.