Gjirokastër | 35 familje të bllokuara nga policia greke

Ka arritur në 35 numri i familjeve shqiptare të bllokuara nga policia greke në vendkalimin kufitar të Kakavijës në rrethin e Gjirokastrës, pasi në pasaportat e fëmijëve të tyre që kanë lindur në Greqi, vendlindja është shkruar në gjuhën shqipe dhe jo në atë angleze. Sipas burimeve nga policia greke në Kakavijë, në bazë të ligjeve ndërkombëtare regjistrimi i vendlindjes së fëmijëve të lindur në Greqi gjatë emigrimit të prindërve të tyre në gjuhën shqipe është shkelje e këtyre ligjeve e për rrjedhojë duhet korrigjuar. Në lidhje me këtë problem, drejtori i policisë së Gjirokastrës, Admir Ardija, ka zhvilluar një takim me drejtorin e policisë së Janinës, ndërsa në një konferencë për shtyp ka pohuar se policia greke po bisedon me autoritetet më të larta të shtetit të saj për zgjidhjen e këtij problemi. Kreu i policisë së Gjirokastrës tha se situata në Kakavijë po ndiqet nga afër dhe se shumë shpejt pritet zhbllokimi i fëmijëve dhe familjeve të bllokuara.

Advertisement