Tiranë | PD në takime me biznesin, akuza ndaj PS-së për rritjen e taksave

Zv/ministri i Ekonomisë, Enno Bozdo ka zhvilluar sot takime me biznesmenë në rrugën “Pjetër Budi”, në njësinë bashkiake numër 2, ku ka garantuar mbështetjen e Partisë Demokratike për biznesin. Sipas tij, që në vitin 2005-së Partia Demokratike ka treguar me vepra që ka qenë mbështetëse e sipërmarrjes së lirë, mbështetëse e biznesit të madh dhe të vogël. “Partia Demokratike përgjysmoi taksat dhe luftoi me sukses evazionin fiskal, sepse ne besojmë që të gjithë duhet të paguajnë taksa, sigurisht të ulta, por të gjithë sipas mënyrës dhe mundësisë së tyre duhet që të paguajnë taksa për të kontribuar në shoqërinë shqiptare”, u shpreh Bozdo. Zv/ministri i Ekonomisë tha se përballë këtij modeli të suksesshëm “ka qenë ai i mbjellë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës të asaj kohe, Rama, i cili trefishoi taksat, trefishoi tarifat, nxiti evazionin fiskal, nxiti klientelizmin”. Bozdo theksoi se ndërsa sot Edi Rama po mundohet të kërcënojë e terrorizojë biznesin dhe investitorët gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës miqtë e tij nuk paguanin asnjë taksë ndryshe nga bizneset e vogla e të mesme që sot u “qan hallin”. “Kjo klimë terrori që ai tenton të bëjë është e papranueshme për Partinë Demokratike, është e papranueshme dhe duhet të jetë e papranueshme edhe për shoqërinë shqiptare”, nënvizoi Bozdo.

Advertisement