Gerard Depardieu zyrtarisht nën hetim pas akuzave për përdhunim!

Aktori i njohur francez Gerard Depardieu është zyrtarisht nën hetim, për shkak se akuzohet për përdhunimin e një aktoreje në shtëpinë e tij, 3 vite më parë.

Gruaja e akuzon aktorin se e ka sulmuar seksualisht dhe e ka përdhunuar në Paris, në gusht të 2018-ës. Avokati i aktorit i tha agjensisë franceze të lajmeve AFP se Depardieu i mohon absolutisht të gjitha akuzat dhe se çështja nuk duhet të ishte bërë publike.

Advertisement

Depardieu, 73 vjeç, është një nga aktorët më të famshëm francëz, i njohur për një seri filmash si “Jean de Florette”, “Green Card” dhe “Cyrano”. Gerard ka lujatur në mbi 170 filma, që prej 1973-it. Fitues i shumë çmimeve përgjatë viteve, aktori është i njohur edhe për deklaratat përtej ekranit, duke dalë kundër sistemi të taksave në Francë, gjë e cila e nxiti të jetonte në Belgjikë. Në 2013-ën Depardieu mori nënshtetësinë ruse, teksa pasaportën ja dhe vetë Presidenti Vladmir Putin.

Në vitin 2019 një hetim fillestar ndaj francezit për këto akuza, nuk vazhdoi më tej për shkak të provave të pamjaftueshme, megjithatë u rihap si çështje verën e kaluar. Zyrtarisht ai gjendet nën hetim prej dhjetorit 2020, por në gjendje të lirë.

Avokati i viktimës së abuzimit tha për AFP se shpreson që privatësia e saj të ruhet gjatë kësaj kohe dhe të jepet vendimi i drejtë.

Në fakt bota e artit në Francë është tronditur kohët e fundit, pas një seri akuzash për abuzim seksual që janë bërë ndaj personazheve të famshëm.