Gazeta më e madhe gjermane: Serbia është kthyer në vitet ’90 të luftërave!

Nga Marc Oliver Ruehle, BILD

Konflikti në Ballkanin Perëndimor vazhdon të përshkallëzohet!

Advertisement

Në funksion të rritjes së tensioneve në Kosovë, qeveria serbe e ka vendosur ushtrinë e saj në gatishmëri të lartë. Ministria e Mbrojtjes publikoi disa pamje të artilerisë së rëndë në afërsi të kufirit serbo-kosovar.

Eksploziv është fakti se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç urdhëroi nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake të hënën në mbrëmje.

Shefi i ushtrisë, Milan Mojsiloviç kishte thënë më parë se ai është dërguar nga Vuçiçi në kufirin e Kosovës për shkak të situatës së komplikuar- një sinjal i qartë.

Detyrat që i janë dhënë ushtrisë serbe janë të sakta, të qarta dhe do të zbatohen plotësisht, tha gjenerali Mojsiloviç pas bisedimeve me Vuçiçin në Beograd. “Situata në kufi është e ndërlikuar dhe komplekse dhe kërkon prezencën e ushtrisë serbe edhe në ditët në vazhdim”, tha ai.

Sa e rrezikshme është situata?

“Fatkeqësisht, tani nuk kam arsye të shqetësohem për një përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës,” shpjegon për BILD eksperti ballkanik dr. Konrad Clewing, nga Instituti Leibniz për Kërkimet e Europës Lindore dhe Juglindore. “Në qarqet kritike ndaj qeverisë në Serbi, ky hap interpretohet kryesisht si një manovër për të bërë diversion për shkak të krizës ekonomike në vend. Por unë mendoj se shpallja e gatishmërisë më të lartë për të luftuar është e rrezikshme”.

“Në një pikë të rëndësishme, kjo tregon se institucionet serbe janë strukturalisht dhe konceptualisht në vazhdimësi të ngushtë me vitet ’90 të luftës, sepse gatishmëria më e madhe për të luftuar nuk vlen vetëm për ushtrinë, por edhe për policinë, xhandarmërinë dhe shërbimin sekret. Mbrëmë, këto shërbime u vendosën nën komandën e shtabit të përgjithshëm ushtarak nga Ministri i Brendshëm,” thotë Clewing.

Të shtëna në drejtim të një patrulle të NATO-s

Natën e 25 dhjetorit, disa të shtëna u regjistruan pranë një patrulle të NATO-s në veri të Kosovës. Askush nuk u lëndua dhe makina nuk u dëmtua kur u dëgjuan të shtënat në zonën e Zubin Potokut, tha të dielën forca e sigurisë e NATO-s, KFOR-i. Nuk është dhënë asnjë informacion se nga kanë ardhur të dhënat.

Rreth 3760 ushtarë të NATO-s ruajnë paqen e brishtë në rajon. Kosova, me popullsinë e saj me shumicë shqiptare, shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por ende konsiderohet nga Beogradi si një territor i shkëputur.

Fakt është: pavarësisht përpjekjeve ndërmjetësuese nga BE, vendet fqinje janë në mosmarrëveshje prej vitesh. Beogradi po inkurajon pakicën serbe në veri të Kosovës në përpjekjet e tyre për të sfiduar autoritetin e Prishtinës.

A çon vakuumi i pushtetit në gjakderdhje?

Kritika ndaj KFOR-it: “Situata nuk do ishte as gjysmë e rrezikshme nëse KFOR do të kishte ndjekur një kurs të qartë në javët e fundit për të mbushur vakuumin e sigurisë në veri të Kosovës. Por nuk po e bën këtë për momentin. Jo vetëm që nuk i kanë hequr akoma barrikadat serbe atje, por as nuk i janë përgjigjur kërkesës serbe që njësitë serbe të dërgohen në Kosovë,” thotë Clewing.

Dhe më tej: “Vakuumi shton frikën se në ditët e ardhshme, sulmet serbe ndaj njësive ekzistuese të policisë kosovare- në pikat kufitare- dhe ndoshta avancimi kundër barrikadave, mund të çojnë në gjakderdhje”.