Gatuan Iva dhe Keli, por ideja e “Rozmarinës” është e tjetërkujt (Foto)

E ftuar sot në emisionin më energjik të mëngjesit, “Chaud Patate” me Flori Gjinin, Suada Daci dhe Rudi Deda, ishte gazetarja e njohur Iva Tiço.

Këtë herë intervista ishte mjaft e “shijshme”, kjo sepse u fokusua më shumë tek gatimi. “Rozmarina.al” quhet blogu më i ri nga Iva Tiço dhe kolegu i saj, gazetari i njohur Enkel Demi, të cilët përveç profesionit, i bashkoi dhe pasioni për gatimin.

Advertisement

Kjo ishte hera e parë që gazetarja foli për blogun dhe madje për ta bërë edhe më të këndshme bisedën, solli në studio një kek me çokollatë dhe qershi, të bërë nga vetë ajo, sigurisht.

Blogu është ende në punim e sipër, por si lindi ideja e gjithë kësaj?

“Të dy bashkë ne gatuajmë veç e veç, kjo sepse jetojmë në shtëpi të ndryshme (qesh), jemi secili familje më vete. Meqënëse të dy kemi pasion gatimin, u bë të paktën 1 vit që muhabetet tona janë ditë për ditë duke i dërguar njëri-tjetrit foto ushqimesh. Unë që e pyes ‘sa ta le këtë në zjarr’, ‘çfarë t’i bëj’ (qesh), dhe ideatore tamam-tamam ishte Mesila (Doda). Tha të bënim diçka, t’i botonim recetat dhe kështu u gjendëm me blog” -tregoi Iva.

Si ka lindur pasioni i gazetares për gatimin dhe kur ka mësuar të gatuajë?

“Unë kam mësuar si fëmijë i viteve ’90 që jemi rritur në shtëpi, sidomos gjatë verave dhe një nga aktivitetet (tani mamatë ne na thoshin që në atë kohë një vajzë duhet të jetë e kompletuar, të lajë, të shplajë, të qëndisë dhe të gatuajë) ishte gatimi. Për dy javë mëson…”

Kuriozë jemi të dimë se cila është pjesa më e bukur e gjithë proçesit të gatimit për Ivën?

“Pjesa më e bukur është në fund, kur bën fotografinë e ushqimt (qesh)” -thotë ajo, “sidomos dhe kur ke ndonjë njeri në shtëpi që do të hajë dhe ti i thua ‘prit, prit se nuk më doli mirë, këtu më doli një hije'”.

Po pjesa më acaruese?

“Tani kam zbuluar që një nga pjesët që më bezdis më shumë është kur heq bërthamat e qershive sepse bëjnë stërpika. E kam kapur veten që për herë të parë në jetën time të vesh përparëse”.

Përveç blogut, interesant do ishte fakti se recetat e tyre të ishin të botuara në një libër (si ato të Arbana Osmanit).

“Nuk themi kurrë, kurrë. E kam një çerek ideje, por jo thjesht me gatime po edhe me diçka tjetër. Kam rreth një vit që kam folur me botimet Living.” -u shpreh Iva.

Siç shkruan dhe ajo në një postim të saj në Instagram: “Gatimet tona dhe të të tjerëve, tashmë po i grumbullojme në një faqe më vete. Pa ndonjë pretendim të madh për t’u bërë kuzhinierë, por thjesht një hapësirë më shumë ku mund të bëjmë bashkë ushqimin dhe të shkruarin… dhe ç’të vijë përpara. Kelin e gjeni tek @rozmarina.al , recetat tona, në te dyja faqet, dhe në faqen e re www.rozmarina.al, nga pasditja online.”

Mmmm, ngjan si diçka e shijshme!

Ah edhe diçka tjetër, Flori, Suada dhe Rudi, ishin të parët që provuan një nga gatimet e rozmarina.al. Sa me fat!