Sot në orën 17:00, në stadiumin “Luzhniki” të Moskës mbyllet sipari i Botërorit të Rusisë 2018 me finalen e madhe Francë-Kroaci.
Një sfidë që sheh të përballen me njëra-tjetrën Francën, një skuadër me vazhdimësi të drejtuar nga Deschamps, që kërkon titullin e dytë kampion të botës pas atij të vitit 1998, e Kroacinë, një kombëtare e drejtuar me sukses nga Zlatko Daliç deri në këtë arritje historike, finalja e parë në një Botëror. Mes tyre do të jetë argjentinasi Pitana, arbitri që do të gjykojë një ndeshje me shumë kampionë në fushë, ku spikasin veçanërisht sulmuesit: Mbappe dhe Griezmann nga njëri krah dhe Perisiç e Mandzukiç, nga ana tjetër.
Ndeshja e sotme mund të konsiderohet padyshim si ajo e ëndrrave, thënë ndryshe ajo që vendos se cili do të ngrejë trofeun më të lakmuar nga çdo futbollist në mbarë botën.
Veç Nestor Pitanas, i lindur në 1975-n, që do të vërshëllejë fillimin dhe mbarimin e sfidës në “Luzhniki” të Moskës, edhe asistentët e tij në sfidën Francë-Kroaci do të jenë nga Argjentina, Hernan Maidana dhe Juan Lattes.
Kjo do të jetë finalja e tretë për “gjelat”, që u ngjitën në majën e podiumit në vitin 1998 dhe e mbyllën me medaljet e argjendta në vitin 2006, pas humbjes me Italinë. Ndërkohë, ky i sotmi është rasti unik dhe historik për Kroacinë për të ngritur lart trofeun e Kupës së Botës, me kroatët që në të njëjtin vit kur “transalpinët” festonin titullin, arrinin rekordin e tyre me vendin e tretë të Botërorit “France ’98”.
Kjo do të jetë përballja e gjashtë mes këtyre dy kombëtareve, me Francën që është në avantazh, pasi nuk është mposhtur asnjëherë, ka arritur 3 fitore dhe dy barazime. Precedenti më i fundit që nuk mund të harrohet është ai i gjysmëfinales së Botërorit “France ’98”, kur kroatët kaluan në avantazh me golin e Davor Suker, por Lilian Thuram do të përmbyste gjithçka në favor të “bluve”.
Sa u përket formacioneve të mundshme, Daliç pritet të zbresë me skemën 4-2-3-1, me Subasiç në portë; Vrsaljko, Lovren, Vida dhe Striniç në mbrojtje; Rakitiç dhe Brozoviç në mesfushë të tërhequr; si dhe treshen Rebiç-Modriç-Perisiç pas shpinës së sulmuesit të vetëm, Mandzukiç.
Në krahun tjetër, Franca e Deschamps do të kundërpërgjigjet me Lloris në portë; Pavard, Varane, Umtiti dhe Hernandez në mbrojtje; Pogba e Kante të tërhequr në mesfushë; si dhe Mbappe-Griezmann-Matuidi pas sulmuesit të vetëm Giroud.
Parashikimet janë tejet të vështira, e vetmja gjë që mund të thuhet është se do të jetë një sfidë shumë e ekuilibruar, duke qenë se edhe 3 finalet e fundit të Botërorëve janë mbyllur thuajse të gjitha pas kohëve shtesë.