Pas skandalit seksual të regjisorit hollivudian Harvey Weinstein, ditë të vështira priten dhe për aktorin e “House of Cards”, Kevin Spacey.

Aktori i njohur nga “Hollywood”-i do të hetohet nga policia britanike për ngacmim seksual. Tabloidi “The Sun” raportoi se një burrë kishte ngritur padi të martën lidhur me incidentin e pretenduar në një lagje të Londrës në vitin 2008. Më pas, policia konfirmoi se po shqyrtonte një rast të tillë, por pa e përmendur emrin e protagonstit të “House of Cards”.

Advertisement

Sipas prestigjozes “The Sun”, britaniku pretendon se Spacey e kishte ftuar për një pije në apartamentin e tij në Londër. Kur ishte zgjuar e kishte gjetur aktorin teksa kryente marrëdhënie seksuale me të. Burri i paidentifikuar, në atë kohë 23 vjeç, pohon se Spacey i kishte thënë të mos i tregonte askujt për ngjarjen.

Lajmi vjen pasi 9 pjesëtarë e ish-pjesëtarë të stafit të “House of Cards” akuzuan Kevin Spacey për krijimin e një ambienti toksik, për shkak të ngacmimeve seksuale të përsëritura. CNN thotë se të 8 punonjësit, që kanë folur në kushte anonimiteti për shkak të frikës për pasoja profesionale, e kanë cilësuar Spaceyn si “gjahtar”.

Pretendimet e fundit që bëhen publike, vijnë pasi Spacey u akuzua se në vitin 1986 ishte përpjekur të joshte aktorin e “Star Trek”, Anthony Trapp, asokohe vetëm 14 vjeç. Akuza për ngacmim i janë bërë atij edhe nga aktori meksikan, Roberto Cavazos, që ka punuar në Teatrin “The Old Vic” të Londrës, ku Spacey ishte drejtor artistik për më shumë se një dekadë, deri në vitin 2015.

Fituesi i dy çmimeve “Oscar”, thuhet se tani i është nënshtruar një trajtimi të paspecifikuar.