Flori Gjini zbulon pse u largua nga Top Channel: ‘Do ta marr vëmendjen me fjalë, jo me puthje’

Flori Gjini, në intervistën e tij të fundit tek “Natën me Aulonën” iu përgjigj çdo pyetjeje që njerëzit kishin prej kohësh. Moderatori zgjodhi të fliste pa doreza për ikjen e tij nga Top Channel duke thënë se shkak u bë fakti që s’ranë dakord mes palëve.

“U largova nga Top Channel sepse mbylla një cikël me atë televizion, për aq sa kisha punuar këto 5 vite në ekran dhe sepse ne nuk arritëm dot të mbyllnim një negociatë të drejtë për të dyja palët. Ishte bërë goxha angazhim nga ana ime, isha çdo ditë në ekran. Një besueshmëri që absolutisht unë nuk e mohoj në asnjë moment, një eksperiencë që mua më ka rritur shumë, por janë disa hapa që ti duhet t’i marrësh. Ishte një kërkesë dhe bindje e imja që duhet të kisha një rritje personale dhe kur flas për rritje personale, jo vetëm për rritje profesionale, por edhe financiare. Bisedat kanë qenë intensive me drejtuesit e Top Channel dhe ramë dakord për të mos rënë dakord.”

Advertisement

Flori tregoi se nga iu ofrua që përveç drejtimit në “Shqipëria Live” të ishte pjesë e Gold Room në DWTS që sot drejtohet nga Eno Popi.

“M’u propozua që deri në janar të isha pjesë e DWTS. Ishin biseda shumë të këndshme me CEO-n e Top-it dhe thashë me vete ok. Doja të kuptoja sa shumë besohej tek unë dhe sesa do vlerësohesha. Në momentin që do të mbyllnim kontratën nuk e pashë të shkruar atë që kishim biseduar. Aty mendova që është momenti të testoj veten në treg të lirë dhe të ndërprisja çdo bashkëpunim. E vlerësova ofertën, por s’isha dakord të isha violinë e dytë, por gjithsesi e vlerësova. I thashë vetes ok, ti do ta marrësh vëmendjen me fjalë dhe jo me puthje, prandaj është momenti që të godasësh.- u shpreh Flori.

Aulona sigurisht që do të ndalonte tek thumbi i radhës dhe pyeti se kush është ai/ajo që e mori vëmendjen me puthje.

“Ata që marrin edhe vendin e punës!”- vazhdoi moderatori pa u menduar gjatë dhe emrat e parë që (instiktivisht) të vijnë ndërmend janë Bora Zemani dhe Donald Veshaj, ndonëse nuk u përmendën gjatë intervistës.

Le të kujtojmë se pas puthjes së famshme në Big Brother dhe gjithë dramës që pasoi më tej nga romanca mes tyre, Bora dhe Donaldi qënduan gjatë në qëndër të vëmendjes mediatike. Kujtojmë gjithashtu se sot, Bora është moderatorja e DWTS e ndërsa Veshaj drejton “Më lër të flas.”

Sidoqoftë, Flori pohoi se Top Channel ishte familja e tij për aq kohë sa zgjati.

“Ti i takon çdo ditë ata njerëz. Kalon kohë me ta, punon me ta. Takohesha gjithmonë nëpër festa me drejtuesit. Unë isha pjesë e saj. Kam kaluar gëzime, kam kaluar sfida, etj, etj. Unë isha Flori i Top Channel dhe s’e mohoj, prandaj mendova ta testoj veten larg “Flori Gjinit i Top Channel”.