Të paktën 36 viktima u gjetën në një kompleks kazinoje dhe hoteli në kryeqytetin filipinas Manila, ku një agresor i vetëm i armatosur hapi zjarr gjatë natës.

Sipas autoriteteve lokale, shumica e viktimave humbën jetën për shkak të tymit të dendur, pasi agresori i vuri flakën tryezave të kazinosë. I dyshuari, kombësia e të cilit nuk njihet ende, hapi zjarr në kazino në orët e para të mëngjesit të ditës së premte. Policia tha se më vonë ai i vuri flakën vetes dhe humbi jetën. Incidenti shkaktoi alarm në Manila dhe fillimisht policia tha se nuk kishte viktima, por më pas gjeti trupat ndërsa zhvilloheshin kërkime në kazino dhe hotel. Sipas policisë, bëhet fjalë për një tentativë grabitjeje dhe jo sulm terrorist, pavarësisht pretendimit të Shtetit Islamik se sulmi u krye nga një ushtar i tij.

Advertisement

Mësohet se agresori hyri në kazino pak pas mesnate dhe hapi zjarr me një armë automatike. Por, policia thotë se ai qëlloi në ajër dhe asnjë prej viktimave apo të plagosurve nuk kanë plagë arme zjarri. Ajo që i bën hetuesit të mendojnë se ishte një tentativë grabitjeje, është fakti se agresori mbushi një çantë më fisha loje në vlerën rreth 1,7 milionë dollarë.

Më pas, ai hodhi benzinë mbi tryezat e kazinosë dhe i vuri flakën për të krijuar kaos në mënyrë që t’ia mbathte, por kur vuri re që kjo ishte e pamundur, vrau veten. Autoritetet thonë se zjarri nuk ishte shumë i madh, por për shkak të djegies së sendeve plastike, u krijua shumë tym i dendur në ambientet e mbyllura dhe kjo shkaktoi shumë viktima.