Fier | 5 zyrtarë të Albpetrol vodhën 470 mijë dollarë

Abuzime me vlerë më shumë se 470 milionë lekë, kanë çuar në pranga 5 zyrtarë të kompanisë Albpetrol dhe aministratorin e një shoqërie private. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm se, të arrestuarit akuzohen se kanë blerë një autosondë në vlerën e 47.640.000 lekëve, kur kjo makineri vlerën e saj e kishte 130 mijë dollarë. “Nga hetimet e Prokurorisë Fier është arritur të provohet se 5 punonjës të kompanisë “Albpetrol sh.a” kanë konsumuar elementët e veprës penale “shpërdorim detyre” në blerjen e një autosonde në vlerën 47.640.000 lekë të reja, ndërkohë që vlera reale e saj ishte 130 mijë dollarë. Për më tepër, që kjo autosondë nuk funksionon”, thuhet në njoftimin e bërë Prokuroria e Përgjithshme. Prokuroria ka bërë të ditur se, të arrestuar janë zyrtarët: H. Gjeka, 47 vjeç, shef zyre, Albpetrol; G. Kodhelaj, 56 vjeç, specialist; V. Ndoni, 32 vjeç, inxhinjer; V. Xhaferraj, 50 vjeç, inxhinjer; Dh. Ceco, 60 vjeç, inxhinjer; Sh. Rama, 49 vjeç, administrator i një shoqërie private. Prokuroria ka bërë të ditur se, “të pestë zyrtarët, anëtarë të komisionit të kolaudimit, janë arrestuar në mesnatë, pasi gjykata e Fierit, me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, ka lëshuar masën e “arrestit me burg”. Ky urdhër ekzekutimi është zbatuar nga ana e Drejtorisë së Policisë Fier”. Mësohet se, kallëzimi për këta 5 punonjës është bërë nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Së bashku me zyrtarët, është kryer edhe arrestimi i administratorit të një shoqërie private, i cili nëpërmjet mashtrimit i ka shitur kompanisë “Albpetrol sh.a” autosondën jashtë kushteve teknike dhe duke ndryshuar vlerën e tij. Operacioni për arrestimnin e tyre, është drejtuar nga prokuroria e Fierit dhe është realizuar në terren nga Drejtoria e Policisë së Fierit.

Advertisement