Festë në “Air Albania”, por humbim/ Franca 2, Shqipëria 0

Shqipëri-Francë nuk ishte një ndeshje për rezultat, por sfida e përurimit të stadiumit të ri ‘Air albania’.

Interesi e sidomos entuziazmi ishte në nivelet më të larta për këtë impiant ku nuk mund të mungonte presidenti i UEFA, Alexander Ceferin.

Advertisement

Kreu i qeverisë së futbollit evropian nuk e fshehu kënaqësinë që institucioni që ai drejton dha kontributin e tij në ndërtimin e këtij stadiumi dhe në atë që do të jetë në të ardhmen duke shtuar se shpreson që në të ardhmen ky impiant të presë një finale evropiane. Në këtë mbrëmje nuk mungoi as kryeministri Rama teksa u shfaq në ‘Air Albania Stadium’ e ri i shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe djali i tij.

Më pas gjithçka i takoi futbollit. Atmosfera në shkallët e stadiumit ishte fantastike me tifozët që kishin përgatitur një koreografi spektakolare ku mbizotëruan ngjyrat kuqezi një spektakël që vijoi edhe në fushën e lojës me Era Istrefin e Flori Mumajesi.

Nota më negative e kësaj mbrëmje gala është pikërisht rezultati i ndeshjes me Kombëtaren e Edi Rejas që u mposht nga ajo kampione e botës me rezultatin 2-0 me gola të Tolisso dhe Griezmann, të dy gola që u shënuan në pjesën e parë të sfidës e cila u transmetua në platformën Digitalb për të gjithë ata që nuk patën fatin të sigurojnë një biletë për ta ndjekur atë direkt në impiantin e ri.

/TopChannel/