Fëmijët që rriten nga prindër të stresuar rrezikohen nga obeziteti

Foshnjat me prindër të stresuar kanë më shumë të ngjarë që në vitet që do të pasojnë të rrezikohen nga obeziteti. Studiuesit e “University College London” thonë se prindërit që janë të stresuar, që kanë ankth, që kanë pasiguri dhe probleme në punë, apo edhe në jetën shoqërore nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur dieta ushqimore të fëmijëve të tyre.

Ata janë të prirur t’i ushqejnë me ushqime tepër kalorike, duke mos respektuar oraret dhe duke e bërë të parehatshëm procesin e ngrënës në tryezë. Këta prindër, për të luftuar stresin, ushqimin e shohin si një mekanizëm ngushëllues për vete dhe për fëmijët e tyre. Sipas studiuesve të këtij Universiteti u vu re se fëmijët vendosin më shumë peshë midis moshës 5 dhe 14 vjeç. Një tjetër arsye sipas studiuesve është se prindërit e stresuar i privojnë më shumë fëmijët nga liria për të lëvizur, për të qenë më socialë me të tjerët.

Advertisement

Këto gjetje janë shumë të rëndësishme sipas psikologëve në Britaninë e Madhe. Psikologia Kristiane Tommerup tha se këto gjetje dëshmojnë se duhet të mbështeten më shumë prindërit e rinj nga ana sociale, mendore dhe financiare sepse vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet obeziteti.

Ajo analizoi të dhënat e 6 mijë fëmijëve të lindur në Britani dhe të prindërve të tyre. Studiuesit i pyetën prindërit nëse ishin të stresuar kur fëmija i tyre ishte në moshën nëntë muaj dhe në moshën 3 vjeç.

Në këto periudha ata analizuan dhe peshat e fëmijëve. Vunë re se 10% e nënave raportuan shqetësime emocionale në nëntë muaj e parë dhe 10 për qind gjatë 3 viteve të para të mëmësisë. Në këto periudha, studiuesit vunë re se edhe fëmijët e tyre kishin rritje të ndjeshme të indeksit të masës trupore dhe dhjamë të tepërt, duke i rrezikuar ata nga obeziteti.