Edhe pse jo konkurrente në festivalin “Kënga Magjike”, Aurela Gaçe ka qenë e pranishme në një tjetër mënyrë në netët finale të spektaklit. Në fillim të natës së parë, aktorja Elia Zaharia Zogu, e cila prezanton edicionin e 18-të të festivalit në krah të Ardit Gjebreas, ka kënduar këngën fituese të Aurelës, “Akoma jo”. Ajo ditë ka qenë e veçantë për këngëtaren e njohur, pasi ka sjellë në jetë vajzën e saj të dytë, Abigail Isabelle. Aurela e ka ndjekur nga ekrani performancën e Elias dhe përmes një statusi në Instagram e ka falënderuar për emocionet që i ka përcjellë.
“Nga t’ia nis më parë? Dua ta nis ditën me një lutje për gjithë ato çifte që presin të bekohen me një fëmijë. Lutem, lutem me shpirt.
Atë ditë isha shumë e lodhur, por di që ndjeva një emocion kaq të bukur kur pashë këtë urim nga skena, kaq njerëzor ky moment!
Nuk ndodh përditë që të hap një festival, të më duhet të jem në skenë e në të njëjtën kohë të sjell në jetë një jetë. E për Abigail do të jetë një kujtim kaq i bukur. Faleminderit Elia dhe Ardit për këtë dhuratë kaq të ndjerë!
Dua t’ju falënderoj të gjithëve ju për një lumë urimesh, jam mahnitur nga gjithë dashuria juaj. Megjithëse në rrjetet sociale ne nuk njihemi personalisht, ju përsëri më keni falur nga koha juaj me gjithë këto urime kaq dashamirëse.
Dua shumë t’ju uroj me shpirt të keni bekime e shumë dashuri në familjet tuaja. Nëse edhe ju keni pasur lindje fëmijësh këto ditë, dua t’u uroj që të rriten pranë prindërve. Faleminderit, miqtë e mi e familjarë! Telefoni u ndez flakë nga mesazhet e bukura. Kjo dashuri për mua vlen më shumë se çdo dhuratë”,- shkruan Aurela në rrjetet sociale.
Edhe pse jo në skenë, artistja ka ndierë emocione të mëdha dhe do të mbetet një nga këngëtaret më të dashura të këtij festivali edhe për faktin se ka rrëmbyer tri herë kupën më të rëndësishme, atë të çmimit të parë.
https://www.instagram.com/p/BN1FF24AUXp/?taken-by=aurelagaceofficial