Elon Musk po largohet nga roli i tij qeveritar si këshilltar i lartë i presidentit Donald Trump, pasi udhëhoqi përpjekjet për të reduktuar dhe reformuar burokracinë federale, raporton AP.
Largimi i tij, i njoftuar të mërkurën në mbrëmje, shënon fundin e një kapitulli që përfshiu mijëra largime nga puna, shuarjen e agjencive qeveritare dhe një sërë padish.
Ai uli ndjeshëm objektivin për shkurtime në shpenzime — fillimisht nga 2 trilionë dollarë në 1 trilion, e më pas në 150 miliardë dollarë. Herë pas here, ai përplasej me zyrtarë të tjerë të administratës Trump, të cilët e konsideronin të padëshiruar përpjekjen e tij për të ndryshuar strukturat e departamenteve të tyre.
Roli i Musk-ut në administratë ishte që në fillim i përkohshëm, dhe ai së fundi kishte dhënë sinjale se do të rikthehej te drejtimi i bizneseve të tij, si prodhuesi i makinave elektrike Tesla dhe kompania hapësinore SpaceX.
Megjithatë, zyrtarët e administratës nuk kishin qenë të qartë për momentin e saktë kur Musk do të largohej nga drejtimi i Departamentit për Efikasitet Qeveritar, i njohur si DOGE. Ai e njoftoi papritur largimin me një postim në rrjetin e tij social, “X”.
“Me përfundimin e afatit tim të planifikuar si Punonjës i Posaçëm i Qeverisë, dua ta falënderoj presidentin [Trump] për mundësinë që më dha për të reduktuar shpenzimet e kota”, shkroi ai. “Misioni i [DOGE] do të forcohet gjithnjë e më shumë, duke u bërë pjesë e kulturës institucionale në të gjithë qeverinë”.
Njoftimi vjen një ditë pasi “CBS” publikoi pjesë të një interviste në të cilën Musk kritikonte ligjin kryesor të agjendës së Trump-it, duke thënë se ishte “i zhgënjyer” me atë që presidenti e quante “projektligji i madh e i bukur”.
Ligji përfshin një kombinim të uljes së taksave dhe forcimit të kontrollit të emigracionit. Musk e quajti atë “projektligj shpenzimesh masive”, që rrit deficitin federal dhe “minon punën” e Departamentit të tij për Efikasitet.
Trump, duke folur nga Zyra Ovale të mërkurën, e mbrojti agjendën e tij, duke theksuar politikën delikate të negociatave legjislative.
“Nuk jam i kënaqur me disa pjesë, por jam i entuziazmuar me të tjera”, tha ai, duke shtuar se “do të shohim si do të shkojë – ka ende rrugë përpara”.
Projektligji kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe po shqyrtohet në Senat.
Mandati 130-ditor i Elon Musk-ut si punonjës i posaçëm i qeverisë në administratën Trump pritej të përfundonte rreth datës 30 maj.
Administrata ka deklaruar se përpjekjet e DOGE-s për të ristrukturuar dhe zvogëluar qeverinë federale do të vazhdojnë.