Në këtë takim kreu i G99 Erjon Veliaj, ka prezantuar kandidatin për deputet Gent Elezi. Veliaj theksoi se potenciali i të rinjve shqiptarë ishte i madh dhe se tek G99 rinia matej jo me numrin e viteve por me sasinë e pasionit për ndryshim. Veliaj shpjegoi se historia një vjeçare e G99 ishte e mbushur me pengesa dhe incidente si heqja e tabelave apo ndalimi i spoteve e megjithatë pasioni vullnetar i të rinjve kishte bërë që të gjitha këto të kaloheshin. “Do të doja tju ftoja të gjithëve në një sprint pas një maratone kaq të bukur – tha kreu i G99 – dhe do doja të mendonit jo vetëm për garën tonë, për garën e G99 por për garën më të madhe aty ku në stadium vëzhgojnë 3 milionë shqiptarë. Dhe janë ata që do të gjykojnë cili ekip është më i ndershmi, cili nuk vë stërkëmbësha, cili kujdeset që të gjithë lojtarët të ecin të motivuar, cili i jep dorën atij që rrëzohet dhe e ndihmon. Në këtë garë janë ata që do të vendosin cili është ekipi më i ndershëm, më i pastër dhe më i aftë që do të fitojë”, u shpreh Veliaj.