Elbasan | PR prezanton kandidatin për deputet, Luan Duzha

Partia Republikane prezantoi kandidatin për deputet në Elbasan, Luan Duzha. Prezantimi i Duzhës u bë nga kryetari i kësaj force politike, Fatmir Mediu, gjatë aktivitetit të degës së PR-së, në Elbasan. Në fjalën e tij para të pranishmëve, Mediu theksoi se “një e djathtë e cila bashkohet dhe bën bashkëudhëtarë qytetarët në idetë e saj evropiane, një e djathtë që mbron familjen, të përndjekurit politikë, rininë, çështjen kombëtare, nuk ka se si të jetë ndryshe përveç se e djathta evropiane, për të cilën shqiptarët do të votojnë”. Mediu tha se bashkëpunimi duhet të bazohet në njerëzit më të mirë, konkurrues, si dhe analizën e zgjedhjeve të 2009 për të siguruar një bashkëpunim politik dhe elektoral të plotë, prandaj duhet t’i referohemi situatës në të gjitha qarqet. Më tej, kreu republikan shtoi se “duhet të jetë një refelektimi i thellë, jo vetëm aritmetik, jo vetëm elektoral, por në radhë të parë njerëzor për të përcaktuar njerëzit më të mirë për të konkuruar, për të bashkëpunuar si e djathtë jo në interesa të ngushta, por në interes të shoqërisë së Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë”.

Advertisement