Një braktisje e papritur nga kampioni i saposhpallur i Formula 1. Nico Rosberg ka bërë me dije përmes Facebook-ut të tij personal se nuk do të garojë më në botën e automobilizmit.
“Që prej 25 vitesh që kam nisur të garoj, ka qenë ëndrra ime të shpallem kampion bote i Formula 1, përmes punës së vazhdueshme dhe sakrificës. Tani e realizova. Pra tashmë e arrita majën e malit dhe ndihem shkëlqyeshëm. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që më ndihmuan të arrij këtu ku jam”,- shkruan Rosberg.
“Ky sezon ishte shumë i fortë. Shtyva si i çmendur në çdo garë për të tejkaluar edhe zhgënjimin në 2 sezonet paraardhëse. Në këtë rrugë më ka mbështetur jashtëzakonisht bashkëshortja ime, Vivian, e cila e kuptoi se ky ishte sezoni i duhur për mua të realizoja ëndrrën. Ajo ka qëndruar pranë vajzës sonë, zgjuar gjithë natën, pa dashur të më ngarkojë mua me përgjegjësi shtesë në rrugën drejt titullit të kampionit të botës.
Në prag të garës së Abu Dhabit (që ishte e fundit e sezonit), e ndjeva se ajo do të ishte e fundit për mua, 55 xhirot e mia të fundit në Formula 1. Vendimin e mora të nesërmen në mëngjes dhe njerëzit e parë të cilëve ua bëra me dije ishin bashkëshortja Vivian dhe Georg (pjesë e ekipit të Mercedes Benz).
E vetmja arsye pse ky vendim është i vështirë është situata ku e vendos tashmë ekipin e Mercedes, familjen time garuese. Por ata më kuptuan, Toto më kuptoi. E pa që isha totalisht i bindur në vendimin tim dhe më mbështeti. Krenari e madhe që e kam fituar kampionatin me këtë skuadër dhe njerëz të mrekullueshëm që punojnë në të.
Tashmë do të reflektoj për sezonin. Dhe do të shoh në cepin tjetër të jetës, për të kuptuar se çfarë ka rezervuar jeta për mua”,- përfundon shkrimi i Rosberg.
Përkthyer nga /Blitz.al/