A ju ka rastisur të shkoni diku dhe ndërtesat të “flasin” vetë? E kemi fjalën për ato rastet kur realisht ndihesh mirë brenda një hapësire, e cila përpos qëllimit të saj, karakterizohet edhe nga kënaqësia që përcjell te të pranishmit. Ndonëse qytetin nuk e dizenjojmë dot si duam ne, kush nuk do të donte të arratisej nga kaosi i jetës së vrullshme dhe të zhurmshme të qyteteve për disa momente qetësuese në dyqanet tona të preferuara. Sapo hyn, dallon atmosferën unike, harmoninë e elementëve, ngjyrat e bukura si edhe të gjitha detajet e tjera që të përfshijnë.
Arkitektja e njohur Zaha Hadid thotë se “Arkitektura ka të bëjë vërtet me mirëqenien. Mendoj se njerëzit duan të ndihen mirë në një hapësirë…Nga njëra anë ka të bëjë me akomodimin, por ka të bëjë edhe me kënaqësinë.” Thënë kjo, nuk është çudi që disa nga dyqanet më të veçanta të kryeqytetit dallojnë ndër të tjera për identitetin që kanë. Për konceptin. Për dizajnin dhe të gjithë elementët që i bëjnë të jenë ndryshe nga të tjerat. Pas konceptit të brandeve si Boggi Milano Store, Liu Jo, Twinset, Pinko etj., qëndron puna fantastike e studios APPA Architects, që ka ka projektuar butikët më IN në Tiranë.
Shihni fillimisht disa foto të tyre, në rast se nuk keni patur mundësinë t’i vizitoni:
“Bashkëpunimi dhe projektimi në linjën e butikëve ka filluar në vitin 2019 me Boggi Store Milano. Këto dyqane janë brande ndërkombëtare dhe padyshim që kushti i përbashkët është që në çdo vend që hapen si dyqane, të kenë të njëjtën fytyrë paraqitjeje, duke filluar nga interior design, metrat katrorë dhe lokacioni,” tregoi për Anabel Persida Shkrepa, bashkëthemeluese e APPA Architects.
Të fillosh një bashkëpunim me studio italine a zvicerane është një sfidë më vete, por padyshim që APPA Architects ia ka dalë me sukses që propozimet e veta të aprovohen nga bashkëpunëtorët e huaj. “Përkushtimi, puna e bërë me shumë dashuri, aftësia jonë profesionale, përfundimi i projekteve në afatet e përcaktuara, bënë që pas projektit të parë të pasonin edhe pesë të tjerë të kësaj kategorie,” shtoi arkitektja Persida Shkrepa.
Shihni disa pamje nga Boggi Milano Store. A nuk ju “rrëmben” kjo hapësirë me ndërthurjen e detajeve? A nuk mahniteni nga ngjyrat, materialet e ndryshme të interiorit që bashkohen kaq në harmoni, si letra e murit, metali, pasqyrat, pëlhura? A nuk është një vepër vizuale artistike ku në secilin kënd shikimi apo faqe muri, percepton dizajn ndryshe nga të tjerat?
Ja edhe Twinset dhe Liu Jo, që nuk dallojnë fare nga simotrat e tyre në Milano e nëpër botë!
Ndjesia që Pinko përcjell është asgjë më pak se një oaz qetësie.
Siç e përmendëm edhe në fillim, puna e Persides dhe ekipit te saj flet vetë. Nuk na duhet të dimë detajet teknike, stilin, pëlhurat që janë zgjedhur, si janë kombinuar ngjyrat e të tjerë elementë të këtij lloji për të kuptuar pse na pëlqen. Gjërat zakonisht janë të thjeshta. Gjithë rëndësia që i është dhënë konceptit dhe arrendimi që krijon një komfort të jashtëzakonshëm për klientët, i bën këto dyqane të jenë ndryshe, të këndshme dhe lehtësisht të krahasueshme me projekte të ngjashme ndërkombëtare, si ato në faqet e Architectural Digest.