Durrës, zhdukja e peshkatarëve, gjendet një trup i pajetë në det, nisin kërkimet

Dy peshkatarë amatorë rezultojnë të humbur që nga mbrëmja e së dielës në Durrës.

Avni Shahinaj dhe Bekim Maçinaj dolën për peshkim, me një barkë të vogël, pasdrekën e së dielës në fshatin “Rinia”, por nuk janë kthyer më. Rreth orës 22.15, të alarmuar familjarët e peshkatarëve kanë kërkuar ndihmë në polici për gjetjen dhe shpëtimin e tyre. Operacioni i kërkim-shpëtimit që ka nisur pas marrjes së informacionit ka përfshirë mjete të Rojes Bregdetare, policisë kufitare, si dhe 12 efektivë policie që po patrullojnë përgjatë bregut. Ndërkohë dhjetra familjarë, të afërm dhe bashkëfshatarë të dy peshkatarëve qëndrojnë në të ftohtë në breg. Të pakënaqur nga ecuria e deritanishme e operacionit ata kërkojnë intensifikimin e kërkimeve edhe nga ajri me helikopterë. Lidhur me ngjarjen, drejtues të policisë kufitare bëjnë të ditur se në thellësi, në det, është konstatuar prania e një kufome dhe pritet që polumbarët e forcave RENEA të angazhohen në gjetjen e trupave dhe mjetit të lundrimit në zonë. Pasditen e së dielës deti ka regjistruar forcën 5 ballë dhe dyshohet që dallgët të kenë përmbysur barkën e peshkatarëve, ndërsa temperaturat e ulta të ujit dhe largësia me bregun mund t’u ketë marrë jetën.

Advertisement