Durrës – Tentoi të vriste gruan, plagos dhe të bijën

Ngjarja ka ndodhur në orën 03.45 të ditës së sotme në lagjen nr 3 të qytetit bregdetar. Sotiraq Kurila, 52 vjec, lindur dhe banues në lagjen Nr 3 Durrës, gjendej në banesën e tij në orën 03.45 të mëngjesit, kur në rrethana ende të paqarta, sipas policisë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten 46-vjeçare Aleksandra Kurila. Por gjatë konfliktit, në momentet kur Sotiraqi po përpiqej t’i merrte jetën të shoqes, skena është parë nga e bija 15-vjeçare, Kristina Kurila. E tmerruar nga pamja dhe duke sjellë ndër mend faktin se dhunohej shpesh nga i ati, adoleshentja është sulur të mbrojë të ëmën. Por afrimi i saj ishte dramatik sepse i ati nuk e kurseu as atë, duke e masakruar me thikë në trup, ndërsa vajza përpiqej të mbronte të ëmën nga një vdekje e mundshme. Në këtë ngjarje, nënën e bijë mbetën të plagosura rëndë si pasojë e goditjeve të pakursyera me thikë që morën nga Sotiraq Kurila. Por edhe ky i fundit, nuk ka dalë “pa gjë”. Në konflikt e sipër, Sotiraqi është plagosur në kokë, kur është goditur me një mjet të fortë, mesa duket nga e bija, në kushtet e vetëmbrojtjes. Që të tre, u dërguan në spitalin rajonal të Durrësit ku po i nënshtrohen ndërhyrjes mjekësore, por burri dhe babai i dhunshëm, po mbahet nën mbikëqyrje policore.

Advertisement