“Leksioni ynë i madh nga kjo krizë edhe rruga e vetme më e sigurt për t’u mbrojtur prej saj është mbështetja e biznesit”, tha Kryeministri, Sali Berisha. Deklarata e Kryeministrit Berisha u bë sot gjatë përurimit të fabrikës së riciklimit të mbetjeve të letrës në Porto Romano, Durrës, një investim privat, në bashkëpunim me BERZH, me vlerë 17 milion euro. “Ky investim është një dëshmi tjetër e entuziazmit të ekonomisë shqiptare. Ekonomi që, siç u bë e ditur së fundi edhe nga Komisioni Europian, qëndron në krye të listës për funksionimin e saj dhe që në kohën më të vështirë të piramidrisë botërore qëndroi, garantoi rritjen dhe po shpejton ritmet”, u shpreh Berisha. Fabrika përdor si lëndë të parë mbetjet e letrës, të grumbulluara në vend, duke e shndërruar atë në letër ambalazhi, karton dhe ambalazhe kartoni dhe letre, me kapacitet prodhimi prej 70-80 letër në ditë. Fabrika plotëson nevojat e vendit për këto produkte dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të saj është i destinuar për eksport.