Durim Bani: Tom Doshi më kërkoi të sajoj historinë

Pas akuzave të deputetit Tom Doshi se i penduari është një i ri nga Fushë-Kruja, me emrin Durim Bani, ky i fundit u gjet, u ndalua dhe u mor në pyetje intensive nga një grup prokurorësh dhe ekspertësh policie.

Media ka zbuluar një pjesë të dëshmisë së tij, ku mes të tjerëve Bani është shprehur se është paguar nga deputeti Doshi, për ta sajuar gjithë historinë.
“Jam paguar nga Tom Doshi që më kërkoi të sajoj këtë histori. Si shpërblim deputeti më bleu një makinë të blinduar”, mësohet të ketë thënë Bani. Më tej ai citohet të jetë shprehur: “Kam përdorur emrat e shokëve të mi jashtë Shqipërisë për ta sajuar këtë histori”.
Durim Bani u ndalua para dy ditësh në pikën e Hanit të Hotit, ndërsa po përpiqej të largohej.
Vetëm pak ditë më parë, Doshi deklaroi se një person është paguar nga kryeparlamentari Ilir Meta për ta vrarë atë dhe deputetin demokrat Mhill Fufi.Sipas tij, ky person është takuar me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe për pretendimin e tij ai ka njoftuar si Metën, ashtu edhe Ramën, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe kreun e prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci.

Advertisement