Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, shpalosi programin e saj para qindra banorëve të Shkozetit. Duma tha se pas 21 Qershorit do të fillojë një rrugëtim ndryshe, që do ta ketë emrin punë.
“Është besimi absolut që pas 21 Qershorit, pas fitores sonë, do të fillojmë një rrugëtim që ka emrin vetëm punë. Në fund të katër viteve do të kemi një rezultat me 15 mijë vende pune, ku çdo familje e Bashkisë së Durrësit duhet të ketë së paku një të punësuar”, tha Duma.
Kandidatja e djathtë u shpreh se modeli i saj është krejt ndryshe nga kundërshtari, i cili punët publike i trajton si private, siç është rasti me ndërtimin e pishinës, ndërkohë që kanalet në qytet janë përsëri të hapura dhe në situatë alarmante siç është ai i Shkozetit, që zonja Duma tha se do të mbyllet, sistemohet dhe gjelbërohet.