Dua Lipa merr Kaprollin e Artë në Berlin

Organizatorët e Bambit e quajnë Bambin çmimin më të rëndësishëm mediatik të Gjermanisë. Me këtë nuk janë dakord të gjithë. Por një gjë nuk mund t’i mohohet Bambit që këtë vit mbushi 70 vjeç. Që është çmimi që jepet me më pompozitet, e që i bën edhe më skeptikët të rrinë tre orë ulur para televizorit. Dhe siç konstatonte Der Spiegel Online sot: “Joshja ka të bëjë me kureshtjen, se cilin njeh nga ata që thirren të dalin para kamerës në atë moment”.

Dua Lipa – princesha e popit

Advertisement

Edhe publiku shqiptar kishte së paku një fytyrë të njohur: Dua Lipa. Këngëtarja britanike me prejardhje nga Kosova, e mori kaprollin e artë në kategorinë Muzikë Ndërkombëtare: me komentin: Sa i bukur! Dhe i ofroi publikut një performancë me një potpuri nga tre këngët e saj më të famshme: “Be the one”, “New Rules” dhe “IDGAF”.

Dua Lipa u lind në Londër, në një familje me prejardhje nga Kosova. Interesin për muzikën e merr që në fëmijëri, falë edhe të atit, Dukagjin Lipa, i cili është një këngëtar i njohur në Kosovë (ODA). Kur Dua është 11-vjeçare, familja kthehet në Prishtinë. Pas katër vjetësh, në vitin 2008, ajo merr sërish rrugën në drejtim të Londrës, këtë radhë vetëm. Dua atëherë ishte 15-vjeçare dhe krahas shkollës nis e publikon në Youtube edhe këngë të njohura të muzikës pop të kënduara prej saj.

Derisa dikur i trokasin në derë përfaqësuesit e Warner Bros Records dhe që atëherë karriera e saj do të merrte të përpjetën. Dua Lipa i këndon me zërin e saj karakteristik e të thellë zemrave të thyera dhe xhelozisë, shkruan juria në argumentimin e saj. “Por shumë shpesh, në këngët e saj melankolike, të cilat ajo i bën vetë, janë gratë, që e mbajnë në dorë timonin.”

Dua Lipa, e cila u thirr para kamerës si “princesha e popit” ishte një nga pikat kulmore të eventit të djeshëm. Për ta prezantuar, regjia kishte marrë disa pjesë nga intervista që ajo kish dhënë për ZDF me gazetaren dhe shkrimtaren gjermane, me prejardhje gjithashtu nga Kosova, Arta Ramadani. Një  vit më parë në Bambi 2017 kishte kënduar këngëtarja tjetër britanike me origjinë shqiptare, Rita Ora. Bambin e saj në kategorinë “Muzikë Ndërkombëtare” ajo e kishte marrë qysh në vitin 2015./Shqip

DuaLipaRedCarpetArrivalsBambiAwardsbQR1ISCEc5bl