Drejtësia, Berisha: S’ka vota nga opozita për Ramën

Arkiv

Sali Berisha akuzoi Edi Ramen se ai është penguesi i vetëm i një reforme të vërtetë në drejtësi, sepse siç thotë ish-kryeministri, Edi Rama ka qëllimin e vetëm të kontrollojë çdo pushtet.

“Reforma ka patur dhe ka një kundërshtar të egër dhe ky është Edi Rama. Vendosi procesin e reformës mbi baza korruptive. Emëroi ekspertë dhe në parlament individë në konflikt interesi. Rama është i pakorrugjueshëm dhe i verbër në revanshin e tij. Me këto hapa, ai vetëm po pengon reformën. Shuhen insitucionet që Edi Rama të bëhet kryegjyqtar dhe kryeprokuror”, tha ish-kryeministri.

Advertisement

Sali Berisha thotë se një nga shtyllat e skemës së Edi Ramës për të kontrolluar gjyqësorin është paracaktimi nëpërmjet neneve të reja në krye të disa institucioneve të reja të drejtësisë së njerëzve të afërt, por u rezervua.

“Fatmir Xhafa është përfaqësues i klaneve të drogës me dokumenta. Derdhi në draft kompetenca që i ka vetëm ministri i Drejtësisë së Koresë së Veriut, omniprezent dhe omnipotent bëhej ministër i gjykatësve dhe prokurorëve. Xhafa me nene shpalli supergjykatës kunatin e tij, Sokol Berberi. Si? Më i vjetri i Gjykatës Kushtetuese do të marrë vend kryesor në drejtim të institucionit të verifikimit. Dvorani e bëri edhe ai nenin e vet aty, ku thoshte që më i vjetri i Gjykatës së Lartë merr këtë pozicion. Më i vjetri ishte militanti i PS dvorani”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri hodhi poshtë zërat se kryeministri Edi Rama po bën marrëveshje me disa deputetë të opozites për të kaluar ndryshimet kushtetuese në Parlament.

“Kam bindje se nga opozita Edi Rama nuk do të mund të garantojë asnjë votë. Deputetët e opozitës pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kenë, nuk janë kriminelë që shiten e blihen, nuk i përkasin merkatos së krimit. Kjo që përhap Edi Rama është thjesht presion që i bën aleatit të tij në qeverisje. Është formë presioni ndaj vëllait armik në qeveri. Njëanshmëria, absolutisht nuk jep reformë. Kjo është propogandë, jo reformë, në shërbim të Edi Ramës, që nuk do të mundë ta kapë kurrë atë”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri ishte i përmbajtur kur komentoi rolin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe të ambasadorit amerikan, prej të cilit tha se ka marrë garanci në mbështetje të rekomandimeve të Venecias.