Drake dhe 21 Savage paditen nga Vogue!

Reperët Drake dhe 21 Savage janë paditur nga Condé Nast, botuesi i revistës Vogue, pasi dyshohet se kanë përdorur emrin e Vogue pa leje për të promovuar albumin e tyre të ri, “Her Loss”.

Condé Nast pretendon se fushata promovuese e albumit, ishte ndërtuar “tërësisht” te përdorimi i paautorizuar i markave tregtare të Vogue dhe lajmeve të rreme që pretendonin se ata do të shfaqeshin në kopertinën tjetër të Vogue, për të cilën falenderonin edhe kryeredaktoren e revistës, Anna Wintour.

Advertisement

“E gjithë kjo nuk është e vërtetë. Dhe asnjë prej tyre nuk është autorizuar nga Conde Nast,” thuhet në një ankesë të paraqitur në një gjykatë në Manhatan.

Condé Nast tha se ata krijuan gjithashtu një revistë të rreme e cila u shpërnda në zonat kryesore metropolitane, shoqëruar me postera që imitonin kopertinat e Vogue. Kompania u shpreh se si rezultat i këtij veprimi, pati një konfuzion te publiku, duke përfshirë edhe mediat që reklamuan Drake dhe 21 Savage si “yjet e rinj të kopertinës” së Vogue.