Divorci 38 miliardësh, marrëveshje mes Bezos dhe ish-gruas

Është arritur një marrëveshje mes Jeff Bezos dhe ish-bashkëshortes; një divorc që do t’i kushtojë themeluesit të Amazon plot 38 miliardë dollarë. Sipas vendimit të gjykatësit të shtetit të Uashingtonit, Bezos duhet t’i transferojë MacKenzie-t aksionet në sipërmarrjen e tij, që vlerësohet se kapin shumën 38.3 miliardë dollarë.

Ai do të mbajë në anën 12 për qind të tyre me vlerë 114,8 miliardë dollarë, çka e lejon atë të mbetet njeriu më i pasur i planetit.

Ish-bashkëshortja, shkrimtare 49-vjeçare, falë këtyre burimeve, renditet tani në vendin e 22 të renditjes së milionerëve të kryer nga Bloomberg. Ajo ka bërë të ditur se do të japë për bamirësi gjysmën e shumës.

Divorci i njoftuar në janar dhe i finalizuar shpejt, bëhet kështu më i kushtueshmi në histori. Çifti i martuar në 1993, ka katër fëmijë. Sipas thashethemeve, fajin për divorcin e ka një lidhje mes manjatit të tregtisë elektronike dhe drejtueses televizive Loren Sancez, bashkëmoshatare e ish-bashkëshortes së Bezos.

/TopChannel/