Me rastin e 104-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, Ministria e Mbrojtjes organizoi në Garnizonin “Skënderbej”, Ditën e Hapur me Forcat e Armatosura.
Që në orët e para të mëngjesit një numër i madh vizitorësh morën pjesë në këtë aktivitet, ku panë nga afër mjetet, pajisjet dhe armatimin që kanë në përdorim Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke filluar që nga helikopterët, mjetet e blinduara dhe armët e reja të standardeve të NATO-s.
Vizitorët patën mundësinë të njiheshin nga afër me punën e burrave, grave dhe djemve e vajzave nën uniformë, që shërbejnë në FA. Pasi uroi të gjithë ushtarakët me rastin e 104-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Dedë Prenga vlerësoi punën dhe misionin e ushtarakëve gjatë këtij viti.
“Me bindje mund të themi se në saj të udhëheqjes politiko – ushtarake, por edhe të vet Shtabit të Përgjithshëm, komanda kryesore dhe ato mbështetëse kanë dhenë kontributin e tyre për realizimin e të gjitha detyrave të planifikuara për këtë vit si edhe atyre të paplanifikuara. Natyrisht që një nga detyrat dhe misionet kryesore të Forcës së Armatosur lidhet me emergjencat civile për t’iu gjendur popullatës në nevojë në çdo moment dhe kohë sa më të shpejtë për të ofruar ndihmën. Përfitoj nga rasti të përshëndes jo vetëm ushtarakët në uniformë dhe civilët e Forcave të Armatosura, por të gjithë popullsinë edhe udhëheqjen në drejtimin e komandimit që në çdo kohë e në çdo moment ka mbështetur Forcën e Armatosur për realizimin e misionit të saj kushtetues dhe të detyrave që burojnë nga ky mision”, u shpreh gjeneral brigade Prenga.
Gjithashtu vizitorët vizituan edhe Muzeun e Forcave të Armatosura, ku gjenden të ekspozuara rreth 3600 objekte që janë përdorur nga FA shqiptare në më shumë se një shekull.