Dinozaurët transmetuan te zogjtë artin e ngjyrosjes së vezëve

Dinozaurët i bënin vezët me njolla apo të ngjyrosura për t’i fshehur nga sytë e grabitqarëve, një teknikë kamuflazhi që e kanë transmetuar tek zogjtë, sipas një studimi të shfaqur të mërkurën në revistën “Nature”.

Kjo u arrit me anë të analizës me spektroskopi të 18 copëzave të guaskave të vezëve të dinozaurëve. Të zgjedhura nga përfaqësuesit e grupeve kryesore të dinozaurëve, këto fosile ruhen në disa muze në SHBA, Tajvan dhe Gjermani.

Advertisement

Studiuesit, nga universitetet amerikane dhe gjermane, në këtë mënyrë arritën të zbulojnë gjurmët e pigmenteve që krijonin motive të njollave dhe ngjyrave në vezët e të gjithë Maniraptorëve, një grup dinozaurësh të vegjël dykëmbësh nga të cilët rrjedhin edhe zogjtë.

“Për shumë shekuj, mendonim se vezët e ngjyrosura ishin veçori e zogjve. Por ashtu si për pendët dhe për pirunin (kocka në formë piruni që ndodhet në gjoksin e zogjve), tani e dimë që ngjyra e vezëve është shfaqur tek dinozaurët para se të shfaqej tek zogjtë”, theksoi Mark Norell i Muzeut amerikan të historisë natyrore.