Eshtrat e Mid’hat Frashërit pritet të nisen sot në Shqipëri

Janë nisur sot drejt Shqipërisë eshtrat e Mid’hat Frashërit, personalitetit shumëdimensional, të njohur me emrin e letrave Lumo Skëndo. Ceremonitë e rivarrimit të tij në Shqipëri do të mbahen më 14 nëntor.

Eshtrat riatdhesohen me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, të marrë në korrik të këtij viti, pas një propozimi të bërë nga studiuesi i Mid’hat Frashërit,  Uran Butka dhe Instituti Lumo Skëndo, që ai drejton.

Advertisement

Eshtrat e Mid’hat Frashërit u nxorën më 9 nëntor nga varreza Ferncliff e qarkut Westchester, ku preheshin që nga viti 1949 dhe u sollën në Qendrën Nënë Tereza të kishës shqiptare që ndodhet pranë varrezës, për ceremoninë e përcjelljes që u mbajt  më datë 10 nëntor 2018.  Në ceremoni, përpara arkivolit të mbështjellë me flamur të qëndisur me dorë, qëndronin pjesëtarë të familjes, përfaqësues nga Shqipëria, pjesëtarë të katër komuniteteve fetare dhe njerëz që dëshironin të shprehnin respektin e tyre për Mid’hat Frashërin.

Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo, tha: “Kthimi i i Mid’hat Frashërit ka rëndësi historike, jo vetëm për vlerën e tij historike dhe kulturore, por edhe për faktin se është anatemuar, është përbaltur, është quajtur kriminel, bashkëpunëtor me pushtuesit. Instituti ynë jo vetëm që e boton veprën e tij të plotë, në 14 vëllime, por u bë edhe nismëtar për kthimin e eshtrave. Kam qenë shumë i emocionuar mbrëmë, kur u ndodha përpara varrit të Mid’hatit, bashkëpunëtorit të ngushtë edhe të tim eti, Safet Butkës, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të një ideje të madhe” citon Zëri i Amerikës.