Një grua dhe bashkëshorti i saj janë vrarë me armë mëngjesin e kësaj të mërkure në Gjirokastër.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Palorto”, ndërsa viktimat raportohet se janë Leko dhe Afërdita Kosta. Autori është Apostol Kosta kushëriri i parë i cili ishte dhe fqinj i afërt i çiftit. Menjëherë pas veprës së rëndë ai ka tentuar të kryejë vetëvrasje ku nodhet në spital në gjendje të rëndë. Sherri mes kushërinjve ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:25 për një territor të vogël dhe mur ndarës mes banesave të tyre, ndërsa në fund janë ndarë me plumba. Dy familjet kishin përfunduar pak kohë më parë edhe gjyq për pronën që kishin konflikt.

Advertisement

Por, çifti i bashkeshorteve Kosta nuk janë të panjohur në Gjirokastër. Burri një muzikant, kurse gruaja e ndjerë mësuese. Por, ata u bënë edhe personazhe publike, pasi ishin pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” në emisionin “E diela shqiptare’, kur Afërdita i kërkoi bashkëshortit të saj, Leko Kostës, t’i rikthehej dashurisë së tij të madhe; saksofonit.

Pas një periudhe emigracioni në Greqi, instrumentisti nga Gjirokastra tregoi se i ishte dashur të shkëputej nga muzika, dhe sado që tani përpiqej, ndiente se nuk po kthehej dot tek dashuria e tij e madhe. Por, gjesti i bashkëshortes së tij, Afërditës, e cila kërkoi ta takonte të shoqin e saj tek “E Diela Shqiptare”, arriti të jepte mesazhin, për të cilin ajo kishte sjellë saksofonin e tij nga Gjirokastra: “Ky saksofon është për ty shumë i shtrenjtë, por për mua akoma më shumë.”

Atë ditë, Afërdita rrëfeu se ata ishin njohur në një festë, ku ai po luante me bandën dhe se kishte qenë dashuri me shikim të parë. Leko kishte pasur një martesë, ashtu sikurse Afërdita, e cila kishte edhe një djalë 18-vjeçar, Harin, me bashkëshortin e parë, me të cilin ishin ndarë shumë miqësisht. Tani, siç tregonte ajo, i biri dhe bashkëshorti i saj i dytë shkonin shumë mirë. E në fakt, ishte i biri ai që ia kishte sjellë saksofonin në Tiranë, në mënyrë që ai të luante edhe një herë pas shumë kohësh për publikun. “Ajo është vajza ime e vogël”, tha Leko, sapo e pa që në anën tjetër të murit të “Ka një mesazh për ty”, ishte Afërdita.