Emiliano Shullazi është rikthyer në një paraburgim në kryeqytet, pasi u mbajt disa ditë në Elbasan dhe është në pritje të shqyrtimit të kërkesës për të lënë qelitë.
Avokatët e tij kërkojnë lirimin për mungesë provash për të dhe Gilmando Danin dhe gjykim në gjendje të lirë për ta. Ndërsa për të akuzuarin tjetër, Blerim Shullazi, ata kërkojnë që çështja të shqyrtohet nga Gjykata e Krujës.
Por një grua duket se ka rënduar pozitën e 38-vjeçarit.
Sipas Top Channel një grua biznesmene është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka dëshmuar kundër Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit.
“Më kanë marrë një pasuri timen në Tiranë me vlerë 1 milionë euro”, ka thënë gruaja dhe kjo pasuri ka kaluar në pronësi të Gilmando Danit.
Identiteti i saj mbahet sekret për shkak të sigurisë së jetës dhe faktit se tashmë vetëm kjo akuzë mund të jetë siguria e burgut për grupin “Shullazi”.
Konfirmohet se tre shtetas të përmendur në një raport të Shërbimit Informativ si biznesmenë që u është vendosur gjobë nga Shullazi kanë refuzuar të depozitojnë kallëzim kundër tij, aq më tepër që e kanë mohuar njohjen me të.