Defektet në rrjetin elektrik, normalizohet situata në Tiranë

Moti i i ftohtë ka sjellë dhe mbingarkesë të rrjetit energjitik në kryeqytet. Sipas OSHEE-së, konsumi është rritur me 30% tej normës së lejuar, duke shkaktuar probleme me furnizimin me energji gjatë mbrëmjes së të hënës dhe paraditen e të martës.

OSHEE bën të ditur se janë riparuar defektet në Tiranë.

Për shkak të defektit në fiderin L6 mbetën pa energji rr. “Bardhok Biba”, Rruga e Brigadave, Materniteti i Vjetër, dhe rruga “Sami Frashëri”, të cilat morën furnizim sot me përjashtim të zonës së Bulevardit Zogu i Parë. Kësaj të fundit iu rikthye energjia rreth orës 12.30 pas riparimit të defektit.

Si pasojë e mbingarkesës dhe rrjetit të amortizuar gjatë paradites së sotme u dogjën 2 transformatorë që furnizojnë me energji elektrike  zonën pranë Televizionit shqiptar si dhe zonën tek “Mine Peza” .

Grupet e punës së avarive të OSHEE,  të cilat gjenden në terren prej mëngjesit të sotëm, kanë vënë në punë, deri në orën 13.30, të dy transformatorët duke furnizuar kështu me energji të gjithë abonentët  në zonën e TVSH dhe në rrugën “Mine Peza”.