Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.
Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, po me rritje prej 8 lekësh. Bolv Oil e tregton naftën me 183 lekë dhe benzinën me 184 lekë. Tek Eida Petroleum, çmimet e naftës dhe benzinës luhaten përkatësisht nga 182 lekë në 186 lekë.
Gjatë këtij viti, çmimi i naftës është rritur disa herë, duke arritur në rreth 184 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 36 lekë për litër, ose rreth 20%.
Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 84 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë, ndërsa është afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014. Nafta e papërpunuar është rritur në vitin 2021 ndërsa ekonomitë rikuperohen nga pandemia e COVID-19. Ecuria e mëtejshme varet nga vendimi i OPEC-ut lidhur me nivelet e prodhimit.
Aktualisht nafta në vend është afër niveleve rekord historike prej 190-200 lekësh që arritën në periudhën 2008-2009, kur ari i zi në bursa i kaloi 140 dollarë për fuçi. Ndërsa aktualisht në bursa, nafta tregtohet me 84 dollarë për fuçi, por rritja e taksave mbi këtë produkt që nga ajo kohë ka bërë që karburanti në tregun vendas të tregtohet më shtrenjtë. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.
Ekspertët e tregut pohojnë se në bursa, nafta mund të arrijë deri në 100 dollarë për fuçi, që do ta çonte karburantin vendas në rekordet e 210 lekëve.
Një tjetër faktor që do të ndikonte në shtrenjtimin e karburanteve është plani i fundit i qeverisë, që synon të indeksojë nivelin e akcizës me inflacionin vit pas viti, në të gjitha mallrat që tatohen me akcizë si karburantet, kafeja, birra dhe cigaret. Nëse niveli i inflacionit mesatar kalon këtë vit mbi 2.5%, akciza e naftës rrezikon të arrijë në 38 lekë vitin që vjen nga 37 lekë aktualisht. Duke llogaritur shtrenjtimin e çmimeve dhe indeksim e inflacionit, vetëm taksat në një litër naftë pritet të arrijnë në 130 lekë, sipas operatorëve të tregut.
Në vitin 2020, sipas INSTAT, importet e karburanteve ishin rreth 533 mijë tonë, niveli rekord i pas viteve ’90. Në tregun e pakicës, nafta ka një vlerë totale rreth 710 milionë eurosh, me çmimin mesatar 160-165 lekë që zbriti vitin e kaluar, ose mbi 820 milionë euro me çmimet aktuale.
GRAFIKU / Ecuria e çmimeve të naftës në bursat globale gjatë 20 viteve të fundit (dollarë për fuçi)