Chaud Patate: Nga Soni tek Almeda, skenaristja Zefina Hasani zbulon më shumë për DWTS 8

E ftuar sot në emisionin energjik të mëngjesit “Chaud Patate” me Flori Gjini, Suada Daci dhe Rudi Deda, sigurisht në Radio ENERGY, ishte gazetarja, autorja, skenaristja Zefina Hasani.

Advertisement

Duke iu rikthyer pozicioneve dhe roleve të saj të dikurshme në media, moderatorët u ndalën tek koha kur Zefina ishte autore e “The Voice”, konfliktit dhe më pas largimit të saj nga programi.

Si fillim: “Unë nuk do doja në fakt t’i rikthehesha prapë, sepse është kohë e kaluar dhe ajo çfarë unë mendova në atë kohë (para dy vitesh) e shpreha dhe jam gjithmonë Zefina që në momentin e caktuar kur më duhet të mbroj një ide timen, një mendim timin. Kush më njeh, e kupton shumë mirë që unë kështu jam,” -u shpreh ajo duke i mëshuar faktit se “edhe sot e kësaj dite, me këtë lloj qetësie që kam, jam e bindur 1000 herë më shumë se kam bërë gjënë e duhur.”

E duke lënë pas “The Voice”, le të kalojmë në një temë më të “gëzueshme” për të, siç është emisioni i kërcimit “Dancing With The Stars” ku Zefina ka qenë në rolin e skenaristes.

Sigurisht që edicioni i fundit ishe padyshim i preferuari i saj për faktin se futën shumë elementë të një “reality show”, ku “shfrytëzuan” historitë personale të personazheve. Vetë fakti që ishte një edicion special me konkurrentë të rikthyer ndër vite, skenaristja pohoi se e shijoi shumë si eksperiencë.

Kujtojmë se fituesja e edicionit të fundit ishte këngëtarja Soni Malaj, por a dihej se do të ishte ajo që do triumfonte në fund?

“Në fillim kur mblodhëm personazhet, një kandidaturë e fortë ishte dhe Landi (Hysi), ndërsa surpriza ishte Kristi (Popa). Asnjëherë nuk i dihet si evolon një personazh që vjen te Dancing,” –shpjegoi Zefina

 Lidhur me komentet që u bënë për çmimin e madh, ku pjesën më të madhe e bëri Aulona Musta (konkurrentja tjetër që arriti në finale), e cila e kërkoi me çdo kusht fitoren, skenaristja tregoi një lloj simpatie, pasi i pëlqejnë vërtet personazhet që luftojnë fort.

 Ndërsa një personazh që Zefinës do i kishte ngelur peng nëse nuk do të ishte rikthyer, ishte pikërisht aktori Viktor Zhusti. “E morëm në telefon dhe i prishëm qetësinë e tij. Kur më tha ‘do mendohem’, i thashë, të lutem mendohu për po,” -kujton ajo.

E lidhur me moderatorët, Zefina u shpreh se Almeda, pavarësisht se nuk kishte prezantuar ndonjëherë më parë, përcolli një energji mjaft të mirë deri në fund dhe kishte mjaft mbështetje nga të gjithë, kurse Rudi ishte “shpëtuesi”. As vetë ajo nuk e priste që moderatori do të mbante gjithë atë përgjegjësi që sa vinte e rritej.

Për ta mbyllur, Zefina na tregoi gjithashtu se Vizion Plus është duke u përgatitur për një projekt të ri, mjaft interesant, pa na dhënë detaje të mëtejshme dhe se sigurisht, menjëherë pas tij pritet DWTS 9.