Në emisionin “më të nxehtë të mëngjesit”, Chaud Patate në radion ENERGY, këtë herë zbuluam disa detaje interesante lidhur me Festivalin e 56-të në Radio Televizionin Shqiptar.

Performanca e parë ne festival do të jetë nga kantautori italian Riccardo Cocciante, i cili do të këndojë dhe dy hitet e tij për publikun shqiptar, një prej të cilave “Margherita”.

Advertisement

Duhet thënë se këtë herë skenografia ka një ngjashmëri të madhe me atë të çmimeve Oskar, ku do të mbizotërojë ngjyra e arit. Ndërsa Orkestra nuk do të jetë e dukshme për publikun.

Pjesëmarrësit e natës së parë janë disa nga artistët më të njohur dhe më të mëdhenj të muzikës shqiptare, duke përmendur këtu emra si Elton Deda, Manjolla Nallbani, Vëllezërit Korçarë (Endri & Stefi), Redon Makashi, Mariza Ikonomi, Eugent Bushpepa etj. Duhet të themi se ky i fundit, gjatë momentit të transmetimit të emisionit, reagoi pozitivisht me përkthimin e titullit të këngës nga “zysha jonë e anglishtes”.

Krah Krastës, për herë të parë në festival, nuk do të ketë vetëm një apo dy moderatore, por për çdo këngë do jetë një prezantuese e re surprizë. Ato do të jenë nga fusha të ndryshme si televizoni, gazetaria dhe shoqëria civile.

Chaud Patate zbuloi emrat e dy prej tyre, Zerina Kuke, ikona e Televizionit Shqiptar dhe gazetarja e njohur e reportazheve, Alma Çupi.

Për më tepër, Flori, Rudina dhe Suada do të japin më shumë informacione në ditët në vazhdim lidhur me festivalin.