Çfarë propozon plani i paqes prej 15 pikash: Si mund të marrë fund lufta Rusi-Ukrainë

Një plan paqeje prej 15 pikash i është propozuar negociatave mes Moskës dhe Kievit, me qëllimin e vetëm për të arritur një marrëveshje për paqe pas pushtimit 3 javor.

Financial Times raporton se palët kanë bërë progres në bisedime bazuar mbi këtë plan,  ku përfshihet një armëpushim dhe tërheqje e trupave ruse nëse Kievi deklaron neutralitet dhe pranon kufizime për forcat e tij të armatosura.

Advertisement

Këtë gjë e konfirmoi edhe ministri i jashtëm rus në një deklaratë të fundit:

“Negociatat nuk janë të lehta për arsye që i dimë të gjithë tani, por ka vend për kompromis. Statusi neutral i Ukrainës po diskutohet seriozisht, së bashku me pika të tjera. Kjo është ajo se çfarë palët po negociojnë në këto momente dhe në këndvështrimin tim palët janë më afër se kurrë të pasurit të një dakordësie”.

Nga ana tjetër, Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit Volodymyr Zelenskiy, tha se Ukraina do të mbajë pozicionin e saj përsa i përket kërkesave në lidhje me negociatat me Rusinë.

Zyrtarët ukrainas nga ana tjetër mbeten skeptikë për faktin nëse presidenti rus Vladimir Putin është vërtet i përkushtuar në arritjen e paqes, apo Moska thjesht po mundohet të blejë kohë për të rigrupuar forcat e saj dhe për të rifilluar sulmet e saj.

Marrëveshja e propozuar, të cilën palët e diskutuan për herë të parë të hënën, përfshin kushtin që Kievi të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në Nato si dhe të premtojë se nuk do të ketë bazë ushtarake të huaja apo të mos marrë mbrojtje në armë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia.