Celibashi: Duhet bërë një Reformë e re Zgjedhore sa më shpejt

Ilirian Celibashi, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është shprehur nga Korça se ka kërkuar nga palët politike që të ulen dhe të bëjnë një Reformë të re Zgjedhore.

Celibashi tha për mediat se ODIHR ka bërë sugjerime konkrete për ndryshimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor, teksa shtoi se ndryshimet bërë sa më shpejt dhe jo të lihen për muajt e fundit para zgjedhjeve të ardhshme.

Advertisement

“Këtë herë ka nevojë për të kryer një Reformë Zgjedhore sepse edhe ODIHR sugjeron ndryshime në Kodin Zgjedhor, por është e rëndësishme që kjo gjë të fillojë tani dhe është gjë e mirë që opozita e ka ndërmarrë këtë iniciativë  pozitive dhe që shumica qeverisëse e ka mbështetur dhe kjo është pozitive. Shpresojmë që procesi të finalizohet sa më shpejt dhe të mos jemi në pozitën e herëve të tjera kur reformat zgjedhore kanë përfunduar 4,5,6 apo qoftë edhe 1 vit para zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Ndërkohë lidhur me procesin e verifikimit të rezultateve pas rinumërimit të votave, kreu i KQZ tha se kur të identifikohen shkelje të rënda të bëra nga komisionerët do të ketë dhe ndëshkime për ta.

Jemi në proces vlerësimi akoma të asaj se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit, në përfundim të këtij procesi në rastet kur do të identifikohen qartazi shkelje të rënda të rregullave të procesit për numërimin e fletëve të votimit normalisht që do të ketë sanksione të karakterit administrativ por edhe kallëzime penale kur këto shkelje tregojnë dukshëm deformimin e rezultatit të numërimit”, tha Celibashi.