Në Korenë e Jugut qytetarët kanë krijuar një “burg artificial” për t’u çliruar nga stresi. Rregullat janë precize: pa telefon, pa orë dore, pa marrëdhënie me të tjerët. Komunikimi është i ndaluar.
Të gjithëve u jepen një palë tuta blu, një tapet për Yoga, një ibrik me çaj, një stilolaps dhe një bllok shënimesh. Flihet në tokë. Në qeli gjendet një banjo e vogël, por pa pasqyrë. Menuja e ngrënies përfshin patate të ëmbla në avull në drekë, banane të shtrydhur në darkë, ndërsa për vaktin e mëngjesit, kupa orizi.
Nëse normalisht burgu i vërtetë është vendi nga i cili dëshirohet ethshëm dalja prej tij, në “burgun artificial” hyhet vullnetarisht për t’i shpëtuar stresit. I krijuar në 2013-ën me emrin “burgu brenda meje”, në zonën e Hongcheo, ka pritur deri tani rreth 2.000 persona: studentë dhe punëtorë, të cilët kërkojnë një lehtësim në jetën e tyre të përditshme.
Të vetë-burgosurit shprehen se ky lloj burgu u jep ndjesinë e lirisë që u mungon jashtë tij! Duke paguar 90 dollarë, çdo personi i mundësohet të kalojë 24 orë brenda qelisë së burgut sipas rregullave të përcaktuara. Sipas të dhënave zyrtare, në 2017-ën koreano-Jugorët kanë punuar mesatarisht 2.024 orë, duke zënë vendin e tretë në nivel global pas Meksikës dhe Kosta Rikës.
Për t’i ndihmuar njerëzit që të punojnë më pak dhe të fitojnë më shumë, qeveria ka rritur pagën minimale, dhe ka ulur orarin maksimal javor nga 68 në 52 orë pune. Pas një dite në këtë qeli, njerëzit kuptojnë që burgu i vërtetë është jeta e tyre e përditshme jashtë tij, u shpreh ideatori i iniciativës./TCH