Banka e Shqipërisë mbetet e angazhur për sa i takon uljes së përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, paraja në qarkullim në ekonominë tonë përbën 16.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër vlerësohet më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Advertisement

Një qasje alternative e përdorur nga studiuesit për të matur përdorimin e cash në ekonomi është niveli i parasë në qarkullim kundrejt agregatit monetar M1, që përfshin paranë jashtë bankave dhe depozitat bankare me likuiditet të lartë (llogari korrente dhe depozita pa afat).

Për Shqipërinë, ky raport është në nivelin 75.1%,  shifër kjo që tregon se ekonomia shqiptare ka një përdorim të lartë të parasë cash si instrument pagesash, ndërsa zhvillimi i pagesave automatike dhe elektronike është në hapat e zhvillimit dhe parashikohet që në të ardhmen e afërt të hyjë më shumë në përdorim.

Në fakt, statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në vitet e fundit ka një rritje të volumit të pagesave jo cash. Për shembull, pagesat përmes pikave elektronike të shitjeve në vitin 2015 arritën në 12.3 miliardë lekë, afro tre herë më shumë krahasuar me vitin 2008. Por përpjekjet për të rritur përdonimin e parave, përmes instrumentave bankar mbeten prioritet edhe për të ardhmen, me qëllim reduktimin e parasë cash në vend dhe formalizimin e këtij tregu.