Britney Spears është shtruar në një qendër rehabilitimi pas një incidenti të fundit në Kaliforni, ku u arrestua për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Përfaqësues të këngëtares konfirmuan se 44-vjeçarja ka vendosur vetë të ndjekë trajtim, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për mirëqenien e saj.
Sipas mediave ndërkombëtare, Spears ka qëndruar esëll që prej arrestimit dhe ka marrë pjesë në takime të Alcoholics Anonymous, në përpjekje për të përmirësuar gjendjen e saj. Arrestimi ndodhi më 5 mars, kur policia e ndaloi pranë banesës së saj, pasi automjeti i saj po lëvizte në mënyrë të çrregullt në rrugë. Pas disa orësh, ajo u lirua.
Në një deklaratë zyrtare pas ngjarjes, përfaqësuesit e saj e cilësuan incidentin si “të pafalshëm”, duke theksuar se këngëtarja do të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe do të respektojë ligjin. Ata shtuan se kjo situatë mund të shërbejë si një pikë kthese në jetën e saj, ndërsa familjarët janë pranë për ta mbështetur gjatë kësaj periudhe.
Spears pritet të paraqitet në gjykatë më 4 maj. Burime pranë saj bëjnë të ditur se marrëdhënia me dy djemtë, Preston dhe Jayden, është përmirësuar kohët e fundit.
Artistja ka kaluar një periudhë të gjatë sfidash personale dhe ligjore, përfshirë përfundimin e kujdestarisë shumëvjeçare në vitin 2021. Ky zhvillim shihet si një tjetër përpjekje për të rikthyer stabilitetin në jetën e saj.


