Degradimi dhe situata e rëndë e parkimit në Tiranë janë rezultat i mungesës totale të vizionit dhe klientelizmi i drejtuesve të bashkisë së Tiranës.
Ka qenë ky denoncimi i bërë nga kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, Gjergji Bojaxhi. Ai ka parashtruar planin e tij për mirëmenaxhimin e parkimeve.
Këta drejtues dhe biznesmenët e tyre të ndërtimit, tha Bojaxhi, nuk bënin dot shumë para të shpejta duke investuar në parkime, ndaj nuk ndërtuan asnjëherë parkime. E gjithë sipërfaqja e qytetit është përdorur për godina banimi.
Ai theksoi se edhe kur situata e parkimeve u bë financiarisht fitimprurëse politikanët i ndanë koncensionet e parkimeve tek klientët e tyre një të PD-së dhe një të PS-së, të cilat prapë nuk u bënë kurrë dhe nuk mbajti përgjegjësi askush.
“Ja si është menaxhimi aktual i parkimit. Me zinxhirë, hekra, apo betona. Kjo është pasoja dhe jo shkaku. Qytetarët nuk kanë më ku të parkojnë dhe ne do ti rikthejmë qytetarëve vendparkimet publike. Tirana është ndoshta i vetmi kryeqytet në botë që nuk ka parkime publike nëntokësore apo mbitokësore. Ne do t’a ndryshojmë këtë gjë”, tha Bojaxhi.
Plani i Bojaxhi për parkimet në Tiranë parashikon hapësira optimale parkimit nëntokësor për ndërtimet e reja, përndryshe leja nuk do të jepet. Pikë tjetër është program i veçantë për parkime brenda lagjeve me investim publik-privat. Bashkia do të ofrojë të drejtën e përdorim të tokës dhe do të koordinojë politikat për parkimin në zonën përkatëse.
Ndërtimi i një parkimi të madh në stacionin e autobuzëve interurbanë në periferi të Tiranës. Dhe futja e një sistemi modern për pagesën dhe menaxhimin e parkimeve publike në rrugë, janë propozimet e tjera të Bojaxhi.