Bode akuzohet për “fshehje pasurie” dhe “pastrim parash”

ILDKP ka kallëzuar ish- ministrin e financave Ridvan Bode për deklarim të rremë pasurie si dhe për pastrim parash. Lajmi është bërë i ditur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Sipas ILDKPKI është depozituar ditën e sotme në Prokurori padia ndaj Bodes për veprat penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Siç theksohet nga ILDKP edhe pse është njoftuar disa herë nga ky institucion, ish-Ministri ka refuzuar që të paraqitet për të dhënë shpjegime, lidhur me burimin e krijimit të pasurive të tij, familjarëve dhe të personave të lidhur me të, si dhe të paraqiste dokumentacionin përkatës.
Pas depozitimit të kallëzimit penal, ILDKP i kërkon Kuvendit marrjen e masave të menjëhershme që raste të tilla, deputetësh që guxojnë të shpërfillin kërkesat e institucioneve ligj-zbatuese në Shqipëri, të mos përsëriten më në të ardhmen.

Advertisement