Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit

Pas 30 ditë agjerimi, besimtarët myslimanë kremtojnë këtë të premte ditën e Fitër Bajramit. 30 ditë sakrificë në emër të Zotit, me shpresën që krijuesi t’ua pranojë dhe t’u falë çdo gjë që në besimin islam quhet e gabuar e që ata mund ta kenë bërë padashje. Mëngjesin e sotëm, bulevardi Dëshmorët e Kombit ishte i tejmbushur për faljen e Namazit.

“Për ata besimtarë që e kanë përjetuar këtë muaj me agjerim dhe duke iu kthyer Zotit, për ata që i kanë vënë fre egoizmit dhe sëmundjeve shpirtërore që të çojnë në rrugën e shejtanit dhe janë afruar sa më shumë tek Zoti i lartësuar. Zoti i lartësuar e mëshirëplotë neve na fton në shtëpinë e paqes, sigurisë dhe xhenetit”, u shpreh kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj.

Advertisement

Besimtarët myslimanë e konsiderojnë këtë dite Bajrami si festën më të madhe të tyre. Pasi kanë kryer ritin tradicional të saj e pasi kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë mbarësi, paqe e harmoni ndërmjet tyre, ata janë shpërndarë për ta zhvendosur festën në shtëpitë e tyre.

Tryezat e mbushura plot me gatime të mira, në shtëpitë e besimtarëve myslimanë rrethohen sot nga të afërm dhe miq, që ftohen për të kaluar së bashku drekën e Bajramit të Madh.