Berisha: Qeveria nuk mund t’i diktohet Parlamentit

Respektimi i rregullores dhe debati mes ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryetares së komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi ka krijuar të tjera tensione në Kuvend.

Ndërhyrja e ministres Ermonela Felaj ka hasur në kundërshtimin e ashpër të deputetëve të djathtë, të cilët kërkuan respektimin e rregullores. Ish kryeministri Sali Berisha u shpreh se ekzekutivi nuk duhet t’i diktojë legjislativi.

Advertisement

“Që një përfaqësuese e asaj që gjerësisht po e quaj organizatë kriminale e bërë nga Edi Rama që është qeveria e tij merr fjalën këtu për t’i diktuar legjislativit. Hera e fundit, nuk mund të diktojë asnjë nga përfaqësuesit e organizatës kriminale funksionimin e Parlamentit. Këto të shkojnë t’i diktojnë në kryeministri. Ky është parlament, ka një rregullore, funksionon mbi bazën e Parlamentit ka një kryesuese seance e nuk mund të ndodh kurrë. Nëse ai është defiçitar nga ana intelektuale e të vijë të flasë këtu, po ka nevojë për avokat. Ajo e mori fjalën për të ndërhyrë në kundërpërgjigje të këtij, kjo është e pashembullt. Tani ndërhyn ajo zonja se e pa që ai (Ilir Beqaj) nuk tha gjë. Po ky nuk është faji ynë. Herë tjetër nuk do mund të ndërhyni më, ose respektoni Parlamentin ose dhe ne do marrim vendimet tona. Kur të kesh ti temën tënde merr minuta dhe hajde diskuto sa të duash. Nuk ka këtu diktat ekzekutivi”, ka deklaruar kryeministri Sali Berisha.

Edhe kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka ka kërkuar respektim të rregullores “Reagimi i ministres tjetër që na çohet këtu sikur është tek Byroja politike e partisë së parë e na drejton gishtin ne, është mirë se nuk është as në prokurori a ku ka qënë”, tha Paloka.

Urgjenca mjekësore, debate të ashpra Beqaj-Vokshi

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i është përgjigjur edhe në Kuvend akuzave të Partisë Demokratike për shkrirjen e shërbimit të urgjencës, mungesën e barnave dhe ilaçeve në spitale etj.

“Unë kam thënë që në nëntor që do të shtojmë brenda marsit volumin e skuadrave që shërbejnë”, ka thënë Beqaj, duke sqaruar sërish vendimin që do të hyjë në fuqi për shëprndarjen e re të urgjencave mjekësore.

Duke iu përgjigjur deputetes Albana Vokshi lidhur me inaugurimin e bërë në spitalin onkologjik, Beqaj u përgjigj: “Meqë ke merak fasadën sot kemi bërë vizitë pune dhe është gati të nisë shërbimi, 6 miliardë dollarë investim. Kredia është miratuar në Kuvend në mars të 2014. Ndryshe nga ju që bënit punë dhe nuk paguanit fatura”, tha Beqaj.

Ndërkaq, deputetja Albana Vokshi i është përgjigjur ashpër ministrit, duke i kujtuar se është kjo urgjencë që i ka shërbyer ministrit beqaj kur ka qënë në grevë urie.

“Ajo urgjencë e Tiranës i ka shërbyer kryeministrit aktual sa herë ka pasur probleme e nevojë, ditën e natën. Ajo ambulanca që ju thatë ka mjek të shkëlqyer. Ti ke bërë pazarin e radhës, ti do t’ia japësh klientit të radhës. Për regjistrat mashtron prapë. Nuk ka qënë kështu, ka qënë elektronik në kohën tonë, harxhove 11 milionë euro, dhe tregove atë paçavure. Ajo të është përgjigjur kur ishe në grevë urie”, tha Vokshi.

Vokshi: Nuk ka plan për riintegrimin e azilantëve të kthyer

Deputetja demokrate Albana Vokshi ka kritikuar ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati se nuk ka një plan konkret për riintegrimin e azilantëve të kthyer në Shqipëri. Duke folur për Fondin e Ballkanit Perëndimor, znj. Vokshi tha se janë parazgjedhur drejtuesit e kësaj zyre.

“Monitorimi duhet të jetë korrekt që fondet të shkojnë atje ku duhet. Ne votuam pro duke vlerësuar hapjen e zyrës në Shqipëri për tre vitet e para të funksionimit. Por siç e përmenda, kemi rezerva për mënyrën e parazgjedhjes së drejtuesit të kësaj zyre. Nëse ne konsiderojmë që ngritja e këtij fondi me zyrë në Tiranë ishte punë e mirë e diplomacisë sonë, pse diplomacia shqiptare nuk punoi siç duhet dhe nuk loboi intensivisht dhe për rezolutën e Kosovës që e dimë që dështuam për një votë. Po për integrimin e azilantëve të kthyer nuk është marr asnjë hap për një plan pune konkret”, është shprehur Vokshi.

Vokshi tha se seanca e kësaj të enjte duhet të kishte në axhendë destabilizimin e rendit dhe sigurisë në nivel alarmant. “Seanca duhet të kishte një tjetër axhendë, dsetabilizimin e rendit dhe sigurisë në nivel alarmant, ndërkohë që kemi një ministër dhe kryeministër që vetëm ndërrojnë fasadat e godinave dhe veshjet e policëve, duke i dhënë ato me koncesion. Ministri sot flet shumë me mungesën e tij, po ashtu dhe kryeministri. Jo vetëm këtu në Parlament, po mbi të gjitha me rezultatet dëshpëruese. Vikima pa fund në rend, në shëndetësi, sistemi ka rënë nga koncesionet e krimit në pushtet”, tha Vokshi, duke theksuar se 3 ‘P”-të nuk janë partneritet publik privat, por “partneritet për përvetësimin e parave”.

Duke bërë prezantimin e marrëveshjes së fondit të Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se ky fond synon të nxisë më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit përmes projekteve konkrete. Fondi fillestar është 260 mijë euro në total.

Halimi: Byroja Kombëtare e Hetimit, e pavarur nga Kryeministri

Eduard Halimi, duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama për Byronë Kombëtare të Hetimit tha se opozita ka kërkuar që ajo të mos jetë në varësi të kryeministrit, por në atë të prokurorit.

“Byroja ka qenë në programin e PS, por modeli i këtij programi është që Byroja të mbikëqyret nga kryeministri. Byroja duhet të luftojë korrupsionin, por të gjithë e dimë se korrupsionin mund ta bëjë qeveria me tendera e konçesione. A ka bërë kjo polici një procedim ndaj zyrtarëve të qeverisë? Jo. Zero. Ne kemi kërkuar që Byroja të mos jetë në vartësi të kryeministrit, por në atë të kryeprokurorit. Pyetja është pse nuk votohet Byroja sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe opinionit të Venecias? Nuk mund t’i kontrollojë kryeministri emërimet, mbledhjen e të dhënave, etj. Prandaj ne kemi kundërshtuar. Do të jesh ti që do ta votosh me një këmbë reformën në drejtësi sipas standardeve”, iu përgjigj Halimi, Ramës.

Rama: Kush nuk miraton reformën në drejtësi, do ‘përvëlohet’ në votime

Kush nuk miraton reformën në drejtësi do të përvëlohet para gjykatës së popullit në votime, është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend. Ai ka qënë mjaft i ashpër me opozitën, të cilën e ka quajtur ‘pa bojë’.

“Fjala ime do të jetë e panevojshme në funksion të miratimit. Sepse kush nuk miraton reformën në drejtësi do të përvëlohet plotësisht kur të shkojë përpara gjykatës së popullit në votime. Do të shpartalloheni siç nuk jeni shpartalluar as në 2013 e as 2015. Jeni pa bojë, nuk keni asnjë lloj boje në raport me të vërtetën dhe publikun shqiptar. Keni dy vjet e gjysëm që s’keni marrë asnjë masë t’i ktheni bojën partisë së shpartalluar”, është shprehur kryeministri Rama.

Reforma në drejtësi do të votohet nga të gjithë tha Rama: “Ju që jeni këtu do vini të votoni jo vetëm Byronë Kombëtare të Hetimit po dhe reformën në drejtësi. Do të vini ta votoni, do i gëlltisni e do bëni sikur nuk i keni nxjerrë ndonjëherë gjithë ato budallallëqe që keni vënë njëra pas tjetrës ato fletë-rrufetë. Do i harroni të gjitha, do vini e do votoni reformën në drejtësi. Këtu do jemi”.

Duke vënë theksin se Byroja ka qënë në programin e Partisë Socialiste para se të fitonte zgjedhjet, Rama pranoi ekzistencën e një drafti të dakodësuar, por që tashmë do të jetë pjesë e reformës në drejtësi.

“Për Byronë ne e kemi mbaruar punën tonë. Por ne nuk jetojmë në hënë dhe ne e dimë që ka një proces të reformës në drejtësi që nuk mund të anashkalohet, dhe nuk mund të bëjmë dot diçka që nesër, brenda pak javësh reforma mund ta konsiderojë të nxituar. Kështu që dokumenti me të cilin ju keni rënë dakord është në dispozcion të komisionit të reformës”, sqaroi Rama.

Byroja Kombëtare e Hetimit, debate e akuza mes Tahirit e Palokës

Ngjarjet e ditëve të fundit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë rritur tensionet në sallën e Kuvendit mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreut të grupit të PD-së, Edi Paloka.

Teksa minsitri i Brendshëm kërkoi që PD të ketë një qëndrim zyrtar për ministrat e ish zyrtarë të arrestuar, para se të kërkojë Byronë Kombëtare të Hetimit.

“Është e turpshme që ky vazhdon të vijë në Parlament njëherë, se vetëm me ato që po ndodhin në Shqipëri në këto muaj nuk duhet të ishte fare këtu. Nuk e di a kishin kamera në uniforma policie ata që vranë 3 e plagosën 6 të tjerë. Këtë duhet të na thotë ky. Kush është kjo banda me uniformë policie që duket sikur zbaton porosi, këtë të na tregojë ky ministri. E jo të shes dëngla këtu. Imagjino ç’kryeministër, nxjerr minsitrin e Brendshëm të flasë për Ben Blushi. Nuk na duhet fare se ç’bëhet në partinë tuaj, janë punët tuaja. Ne kemi punë me votimet për shqiptarët”, tha Paloka.

BKH, Meta: PD të depozitojë projektligjin e dakordësuar në Kuvend

Byroja Kombëtare e Hetimit ka nxitur debate të forta në Parlament. Teksa Partia Demokratike, nëpërmjet Edi Palokës kërkon sqarime lidhur me një projektligj të dakordësuar, kreu i Kuvendit, Ilir Meta la të kuptohej se nuk ishte në dijeni të një projektligji të tillë.

Ai i kërkoi PD-së të depozitonte këtë projektligj të dakordësuar në Kuvend për të ndjekur procedurat.

“Në fakt asnjë prej tyre nuk kishte asnjë projekt përfundimtar me vete. Ministrja dha sqarimin e saj, unë mund të bëja një sugjerim për grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Duke përshëndetur faktin që ata janë dakortësuar me këtë iniciativë, e cila u miratua një herë nga ky Parlament dhe më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mos pajtim me parimet e Kushtetutës, që atë variant për të cilin Partia Demokratike është dakord, ajo mund ta depozitojë në Kuvend dhe ndërkohë ai variant mund të ndjek rrugën e vet sipas procedurave parlamentare”, tha kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Ndërsa ministrja Ermonela Felaj, duke sqaruar dhe pozicionin e saj në Konferencën e Kryetarëve tha se projektligji për Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të jetë pjesë e reformës në drejtësi.

“Drafte secili nga ne mund të bëjë, e rëndësishme është ku ta vendosim këtë strukturë, të na e thonë deputetë tuaj në komisionin e reformës në drejtësi dhe nuk ka asnjë pengesë nga ana jonë. Nuk e kemi ngritur si nevojë për luftën kundër korrupsionit, por korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ministrja Felaj.

Paloka: Pse nuk vjen në Kuvend Byroja Kombëtare e Hetimit?

Partia Demokratike ka kërkuar në Kuvend sqarime lidhur me projektligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, të dakordësuar mes palëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka kërkoi arsyen e mosparaqitjes së këtij projektligji të dakordësuar në Kuvend.

“Përfaqësuëesja e qeverisë (Ermonela Felaj) ose nuk kishte dijeni fare se ekzistonte një projektligj i tillë i dakordësuar, apo se di pse mbajti atë qëndrim se për minuta të tëra nuk arritëm të kuptonim nëse ekzistonte projektligji. U sqarua po nga një pjestar i maxhorancës. Ekziston jnë projektligj i pregatitur nga OPDAT dhe nga ministri aktual i Rendit, ka një dakordësi për këtë projektligj nga PD, dhe pritet…se çfarë pritet, që ky projektligj të kalojë në Parlament”, tha Paloka.