Berisha: Kreu i SPAK, komisar politik i PS-së.

Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të SPAK-ut Altin Dumani duke e quajtur komisar politik të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama, pas informacioneve se gjatë një takimi informal me gazetarët, ai është shprehur se SPAK nuk e di se cilët janë pronarët e inceneratorit të Tiranës.

“Inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, komisari politik i SKAP, si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Dy fjalë do t’i them Komisar Dumanit, se pretendimi juaj se nuk dihen pronarët iu akuzon shumë rëndë ju dhe institucionin tuaj. SKAP-i është një institucion kryekëput, seksion i Partisë Socialiste. Një mburojë e korrupsionit, vjedhjeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë, të organizatës kriminale që kryesohet nga Edi Rama.”

Advertisement

Berisha kërkoi shpjegime nga kreu i SPAK-ut se përse afera e inceneratorit të Tiranës nuk ka përfunduar ende në gjykatë.

“A mund t’ju thoni shqiptarëve: çfarë iu pengon ju zotëri, të dërgoni në gjykatë aferën, sepse ju paraqitët si pretekst pretendimin se janë arbitrazhet. Çdo arbitrazh është i detyruar të marrë parasysh vendimin e gjykatës së vendit. Së dyti, kontrata e Inceneratorit të Tiranës është e firmosur në shkeljen më flagrante të Kodit Civil të Shqipërisë. Nuk ka gjykatë që nuk rrëzon atë kontratë. Ju nuk e bëni këtë, sepse ju jeni mburojë e qeveritarëve që kryejnë këtë vepër mafioze, këtë vjedhje të tmerrshme.”

Më të njëjtin argument, atë të kapjes së SPAK-ut nga Kryeministri, Berisha iu drejtua Dumanit edhe për çështjen McGonigal.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike do bëjë gjithçka për hetimin e plotë të këtyre dy aferave, pas së cilave ai tha se qëndron kryeministri Rama.